UBT News

Hidhen bomba ndaj shtëpisë së Netanjahut

Shtëpia e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, në qytetin Cezare, është bërë sërish shënjestër e një sulmi të dhunshëm. Dy bomba janë hedhur njëra pas tjetrës drejt kopshtit të rezidencës private të tij, por, fatmirësisht, ato nuk kanë shkaktuar dëme materiale. Mediat ndërkombëtare raportojnë se në momentin e sulmit, Netanyahu dhe familja e tij nuk ishin në shtëpi.

Për këtë incident ka reaguar menjëherë ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili e cilësoi sulmin si një shkelje të rëndë të sigurisë, duke e përshkruar si një akt që “ka kapërcyer të gjitha vijat e kuqe”. Ai i bëri thirrje agjencive të sigurisë dhe gjyqësorit izraelit që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të hetuar dhe ndëshkuar autorët e sulmit.

Gjithashtu, Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, reagoi në rrjetet sociale, duke dënuar ashpër këtë akt të dhunshëm dhe duke njoftuar se është ngritur një hetim për të zbuluar të vërtetën pas sulmit.

Ky sulm i ri vjen pas një ngjarje të ngjashme që ndodhi në muajin tetor, kur një dron sulmoi shtëpinë e Netanyahu, për fat të mirë pa shkaktuar dëme apo viktima, pasi edhe atëherë ai dhe familja e tij nuk ishin në shtëpi. Ky incident i fundit ka ngritur më tej shqetësime mbi sigurinë e kryeministrit dhe ka nxitur diskutime për nevojën e forcimit të masave të sigurisë për liderët izraelitë./UBTNews/

Exit mobile version