UBT News

Hetuesit rusë konfirmojnë vdekjen e Prigozhinit

Vdekja e Yevgeny Prigozhin, kreut të grupit mercenar Wagner, është konfirmuar nga analizat gjenetike, tha Komiteti Hetues i Rusisë më 27 gusht.

Prigozhin vdiq gjatë rrëzimit të një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht.

“Sipas këtyre rezultateve, është përcaktuar identiteti i dhjetë viktimave dhe korrespondojnë me listën e pasagjerëve të paraqitur të fluturimit”, tha komiteti.

Autoritetet ruse kanë thënë se në listën e pasagjerëve të avionit që u rrëzua ishte Prigozhin dhe komandanti i Wagner-it, Dmitry Utnik.

“Ekzaminimet molekulare-gjenetike kanë përfunduar si pjesë e hetimit për rrëzimin e avionit në rajonin Tver”, tha zëdhënësja e komitetit, Svetlana Petrenko.

Avioni privat Embraer ishte nisur nga Moska drejt Shën Petersburgut. Shkaku i rrëzimit të tij ende nuk është përcaktuar.

Një ditë pas rrëzimit të avionit, presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi tërthorazi vdekjen e Prigozhinit, pasi i shprehu ngushëllime familjesë së liderit të grupit mercenar.

“Ai [Prigozhin] ishte njeri i talentuar”, tha Putini më 24 gusht, duke e quajtur “tragjedi” rrëzimin e avionit.

Ka pasur spekulime se Kremlini mund të ketë qenë i përfshirë në rrëzimin e avionit. Avioni u rrëzua saktësisht dy muaj pasi Wagner kreu një rebelim të shkurtër kundër udhëheqjes ushtarake ruse. 

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka përshkruar incidentin si “tragjik” dhe i ka quajtur “gënjeshtra” spekulimet për një përfshirje të mundshme të Kremlinit në këtë ngjarje.

Prigozhin, 62 vjeç, kreu një rebelim jetëshkurtër ndaj liderëve ushtarakë rusë më 23-24 qershor. Luftëtarët e tij për një kohë të shkurtër morën nën kontroll qytetin jugor rus, Rostov-mbi-Don, dhe nisën marshimin drejt Moskës. Ata kërkuan largimin nga detyra të ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov.

Rebelimi u zhvillua pasi për muaj të tëra Prigozhin akuzoi publikisht udhëheqjen ushtarake të Rusisë për strategjinë e luftës në Ukrainë, por edhe për mungesë të furnizimeve me municion.

Rebelimi paraqiti sfidën më serioze ndaj presidentit Vladimir Putin, në dy dekadat e tij në pushtet.

Vendndodhja e Prigozhinit pas rebelimit ishte gjerësisht një mister. Ai besohet se ka lëvizur midis Rusisë dhe Bjellorusisë, ku trupat e Wagner-it kanë ngritur një kamp për të trajnuar forcat e armatosura bjelloruse, si pjesë e marrëveshjes së negociuar që i dha fund rebelimit.

Më 28 korrik, ai ishte fotografuar në margjinat e samitit Afrikë-Rusi të mbajtur në Shën Peterburg. Në këtë fotografi ai u shfaq duke u përshëndetur me presidentin e Republikës së Afrikës Qendorre.

Pas rebelimit, Putin e kishte akuzuar Wagner-in për “thikë pas shpine” dhe kishte konfirmuar se Qeveria ruse i kishte ofruar grupit mercenar mbi 1 miliard dollarë fonde gjatë viteve të fundit./REL

Exit mobile version