UBT News

Hetuesit rajonal arrijnë në qendrën e numërimit në Mitrovicë

Në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë të Jugut tashmë kanë arritur edhe hetuesit rajonal të kësaj komune, pas raportimeve për parregullsi gjatë procesit të votimit më 9 nëntor.

Dje, komisionerët e PDK-së, gjatë procesit të numërimit kanë vërejtur parregullsi si fletëvotime me një numër serik të caktuar, që u takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi, prandaj ata kanë alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë dhe tashmë procesi i numërimit është ndalur.

Pas një urdhri nga Prokuroria, sot komisionerët kishin ndërprerë punën pasi janë vërejtur dallime në numrat serikë të disa fletëvotimeve. Fillimisht është dyshuar për gabime teknike, por janë ngritur edhe pretendime për manipulim të qëllimshëm.

Më vonë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte.

Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit./KP

Exit mobile version