Ndërprerësit për kontrollim të karburantit në motorët e aeroplanit të kompanisë ajrore Air India, i cili është rrëzuar pak pasi është nisur dhe ka lënë të vdekur 260 persona muajin e kaluar, e kanë ndryshuar statusin nga pozicioni i “ rrjedhshëm” në të “ndalur” pak para se të ndodhte incidenti, është thënë në një raport paraprak hetimor të shtunën.
Në raportin e lëshuar nga Byroja për Hetimin e Aksidenteve të Aeroplanëve të Indisë, nuk janë dhënë përfundime apo se kush ka faj për katastrofën e 12 qershorit, mirëpo sipas të dhënave të kutisë së zezë, një pilot e ka pyetur tjetrin se pse e ka ndalur karburantin dhe i dyti i ka thënë se nuk ka vepruar ashtu.
Aeroplani i llojit Boeing 787-8 ishte nisur nga Ahmedabadi, qytet në perëndim të Indisë, për në Londër. Si pasojë e rrëzimit të aeroplanit kanë vdekur 242 persona në bord dhe 19 tjerë që kanë qenë në vendin e përplasjes.
Një pasagjer ka mbijetuar mrekullisht. Ai ka qenë një shtetas britanik, i cili ka arritur të largohet nga copëzat e aeroplanit dhe tashmë është liruar nga spitali.
Në raportin prej 15 faqesh, byroja për hetime ka thënë se sapo aeroplani ka arritur në shpejtësinë e duhur “ndërprerësit për karburant të motorëve 1 dhe 2 janë ndalur me një distancë nga njëri-tjetri prej 1 sekonde”.
Menjëherë pas këtij veprimi, raportohet se aeroplani e ka humbur drejtimin.
Sipas raportit, ndërprerësit janë rikthyer sërish në pozicionin “rrjedhës” dhe motorët kanë fituar fuqi, mirëpo njëri prej pilotëve veçse e ka nisur sinjalin për emergjencë.
Kontrollorët e trafikut ajror i kanë pyetur pilotët se çfarë ka ndodhur, mirëpo e kanë parë aeroplanin të rrëzuar dhe e kanë angazhuar menjëherë personelin për emergjenca në vendin e ngjarjes.