UBT News

Hetimi i OKB-së: Dronët rusë ndjekin dhe përzënë civilë ukrainas

Sipas një hetimi të fundit të Kombeve të Bashkuara, Rusia i ka ndjekur me dronë civilët që jetojnë pranë vijës së frontit në Ukrainë.

Hetimi ka gjetur se Rusia i ka gjahtuar civilët duke i detyruar mijëra njerëz t’i braktisin tërësisht zona të tëra, një veprim që përbën krim kundër njerëzimit.

Raporti i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar dhe Hetimor për Ukrainën tha se civilët janë ndjekur në distanca të gjata nga dronë me kamera të montuara, dhe më pas janë sulmuar me bomba ndezëse ose eksplozivë derisa po përpiqeshin të strehoheshin.

“Këto sulme janë kryer si pjesë e një politike të bashkërenduar për t’i dëbuar civilët nga ato toka, dhe përbëjnë krim kundër njerëzimit për zhvendosje të detyruar të popullsisë”, thuhet në raportin 17-faqësh që pritet t’i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë.

Gjetjet e raportit bazohen në intervista me 226 njerëz, përfshirë viktima, dëshmitarë, punonjës ndihme dhe autoritete lokale, si dhe në qindra video të verifikuara online.

Sulmet e përshkruara në raport ndodhën në tri rajone në Ukrainën jugore, pranë vijës së frontit dhe përtej lumit Dnipro, dhe u kryen nga forcat ruse gjatë një periudhe prej më shumë se një viti.

Rusia e mohon se shënjestron civilët në Ukrainë, megjithëse forcat e saj kanë vrarë mijëra civilë qëkurse nisi pushtimi i plotë tri vjet e gjysmë më parë./S.K/EO/

 

Exit mobile version