Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog e përshkroi sulmin e 7 tetorit nga Hamasi si një prej mizorive më të këqija në kohën moderne, dhe e akuzoi Hezbollahun në Liban se “po luan me zjarr” në veri të Izraelit.
Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin francez, Emmanuel Macron, Herzog tha se është i shqetësuar për rritjen e antisemitizmit në botë, përfshirë edhe Francë, dhe tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime.
Sipas tij, situata e Izraelit me Hamasin është “ekstremisht e komplikuar dhe fragjile”, dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm “të qytetarëve tanë të rrëmbyer”.
Ai e akuzoi Iranin për nxitjen e tensioneve mes Hezbollahut dhe Izraelit.
“Dua ta bëj të qartë sepse ne nuk po kërkojmë konfrontim në kufirin verior ose diku tjetër. Ne jemi të fokusuar në shkatërrimin e infrastrukturës së Hamasit dhe kthimit të qytetarëve tanë. Por nëse Hezbollahu na shtyn në luftë, duhet ta kemi të qartë se Libani do ta paguajë çmimin”, deklaroi ai./UBTNews/