Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka kërkuar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, largimin e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Kjo kërkesë ka ardhur pasi të mërkurën ky komision ka zhvilluar takim me ambasadorin gjerman.
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat, sidomos pas zbatimit në plotni të marrëveshjes së Bratislavës.
“Ky takim sot ka ardh si nismë e disa takime tjera e që ne si komision do të kemi pikërisht me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, që janë në Kosovë për të bashkuar për tërheqjen e këtyre masave të cilat mendojmë që i janë vendosur padrejtësisht Kosovës edhe sot po vazhdon të mbahen nën masa, në veçanti pas zbatimit në plotni të marrëveshjes së Bratislavës që ka qenë si kriteri fundit që është dashur ta plotësoj Kosova në mënyrë që të tërhiqen masat ndaj Kosovës”, u shpreh Kryeziu-Hyseni.
“E dimë që kur i janë vendosur masat para një viti nuk ka pasur nevojë të mirret me votë të gjitha shtetet anëtarë të BE-së që tani kur po flasim për heqjen e tyre kemi shtete të cila janë për heqje të plotë të menjëhershme kemi shtete të cilat thonë që këto masa duhet të hiqen në mënyrë graduale sigurisht ka edhe shtete Të cilat nuk pranojnë qe të hiqen fare prandaj, po besoj që është e padrejtë edhe fakti që një vendim i tillë para një viti nuk ka pasur të votohet fare. Tani kur po kërkojmë që këto masa të hiqen, na thuhet që pa nevojë të ketë votë të plotë të anëtarëve të BE-së për të marrë një vendim të tillë na po presim”, u shpreh tutje Kryeziu-Hyseni.
E ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, tha se Gjermania vazhdon të jetë partnerë i ngushtë me Kosovën.