UBT News

​Heqja e kufizimit të mallrave Serbe, grupi “Besa Besë” kërkon bojkot

Grupi “Besa Besë” ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve të mallrave serbe, duke shprehur shqetësim për këtë zhvillim. Në një komunikatë për media, grupi e cilëson vendimin si të ngutshëm dhe që nuk përmbush objektivat e parashikuara, veçanërisht ato që lidhen me reciprocitetin.

Sipas “Besa Besë”, Serbia ka vendosur barriera jo tarifore për produktet kosovare për 25 vite, duke e penguar zhvillimin e tregtisë ndërkufitare. Grupi thekson se mallrat serbe që shiten në Kosovë nuk shënojnë emrin “Republika e Kosovës”, por vetëm “Kosovo”, duke e përjashtuar njohjen e shtetësisë kosovare. Po ashtu, ata akuzojnë Serbinë se ka bllokuar tranzitin e produkteve me origjinë shtazore nga Kosova drejt Evropës.

“Qeveria e Kosovës nuk duhej të heqë ndalesat derisa këto barriera të rregullohen nga Serbia,” theksohet në komunikatë. Grupi shpreh shqetësim për situatën e rëndë ekonomike dhe sociale në Kosovë, duke përmendur largimin masiv të qytetarëve dhe vështirësitë me të cilat përballet sektori privat.

Për të reaguar ndaj kësaj situate, grupi “Besa Besë” i bën thirrje qytetarëve të Kosovës për të bojkotuar produktet serbe. “Askush nuk e ka vuajtur më shumë se qytetarët e Kosovës pasojat e regjimit të Milloshoviqit. Prandaj, vendimi qytetar është më i rëndësishëm se çdo vendim qeveritar,” përfundon komunikata, duke i inkurajuar qytetarët të ruajnë integritetin dhe mirëqenien e vendit të tyre./UBTNews/

 

Exit mobile version