Helikopteri eksperimental i NASA-s ka fluturuar për herë të tretë në Mars, ka thënë Agjencia amerikane e Hapësirës më 25 prill.
Helikopteri, i quajtur Ingenuity, është ngjitur në pesë metra lartësi, dhe më pas ka kryer 50 metra fluturim, duke lëvizur anash.
Ekipeve të NASA-s në Tokë, ai u ka dërguar fotografi bardhë e zi mbi sipërfaqen e Marsit.
Ingenuity më pas është kthyer në vendin ku është nisur, pas 80 sekondash të fluturimit.
NASA ka thënë se materiali i incizuar gjatë fluturimit do të dërgohet në Tokë në ditët në vijim.
Kjo agjenci është duke planifikuar edhe fluturime tjera me këtë helikopter në të ardhmen, për të parë terrenin e planetit si dhe për të dhënë udhëzime për anije kozmike apo astronautët.
Ky helikopter ka arritur në Mars në mesin e muajit shkurt me një anije kozmike të quajtur Perseverance.
Më 19 prill, ky helikopter ka kryer fluturimin e parë të kontrolluar nga një planet tjetër.