UBT News

Haziri: Asnjëherë s’më ishte komunikuar se Agon Musliu kishte probleme shëndetësore

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri po raporton në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e të ndjerit Agon Musliu, i cili vdiq në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Haziri theksoi se në fund të muajit prill e ka kontaktuar babai i të ndjerit Musliu, i cili i ka kërkuar kryetarit të Gjilanit të angazhohet për kthimin e djalit të tij.

“Në fund të muajit prill më ka kontaktuar drejtpërdrejt babai i tij dhe më vonë edhe me telefon, duke më njoftuar lidhur me rastin e djalit të tij, i cili ka qenë në Gjermani. Ai ka kërkuar të angazhohem në kthimin e djalit të tij, meqë ka mbetur totalisht i mbyllur në banesë. E kam telefonuar amabsadorin e Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, për ta njoftuar me kërkesën e babait të Agonit, që të mundësohet riatdhesimi i tij. Më 1 maj prapë më ka telefonuar zoti Naim Musliu, dhe ka kërkuar qe t’i mundësohet të shkojë në aeroportin “Adem Jashari”, ta marrë djalin e tj. Qendra Operative e Gjilanit i ka shkruar letër zyrtare Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka kthyer pergjigje se i jepet leja të shkojë në aeroport. Ai prapë ka kërkuar që të bëhet kërkesë në Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sepse djali i tij nuk ndjehej mirë.”, deklaroi Haziri mes tjerash.

Kryetari i Gjilanit potencoi se Qendra Operative e Gjilanit ka reaguar menjëherë me kërkesë zyrtare ndaj Qendrës Operative të MPB-së, për të dërguar një psikiatër tek i ndjeri.

“Kërkoj nga organet e drejtësisë të zbardhet kjo njollë e zezë”, përfundoi Haziri.

I pyetur se a i është komunikuar ndonjëherë se i ndjeri Agon Musliu mund të ketë probleme të shëndetit mendor.

“Asnjë problem shëndetësor nuk është paraqitur tek unë, dhe si i tillë nuk kam mundur ta prezantojë në asnjë rast. Te unë është kërkuar vetëm riatdhesimi për shkak të izolimit dhe mbetjes si i vetëm në Gjermani. Sa i përket kritereve, Ministria e Punëve të Jashtme e ka listën me kritere. Na është thënë se edhe studentët janë në mesin e atyre me prioritet për tu kthyer në vend, dhe këtu ka përfunduar komunikimi jem me ambasadorin. Për mua ka qenë përtej se falënderuese angazhimi i ambasadës për kthimin e tij në Kosovë. Në anën tjetër problemet shëndetësore të Agonit, asnjëherë s’janë përmendur në raportin e prindit me mua.”, tha Haziri./UBTNews

Exit mobile version