UBT News

Haziri kërkon zbardhjen e rastit të vdekjes së qytetarëve nga Gjilani në Shqipëri

I pari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i ka shprehur ngushëllime familjes Haliti për vdekjen e tre anëtarëve të kësaj familje, që dyshohet se u helmuan nga ushqimi në Gjirin e Lalëzit në Shqipëri.

Haziri shkroi në Facebook se shteti shqiptar e ka për obligim që sa më parë të dalë me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës.

“Gjilani, Kosova e Shqipëria u tronditën nga tragjedia që ndodhi në Durrës, përkatësisht në Gjirin e Lalëzit, ku tre bashkëqytetarët tanë, Elfete, Afrim e Ferdinaze Haliti, ndërruan jetë papritur. Sot ia dhamë lamtumirën e fundit në Gjilan dhe na mbeti peng e vërteta e shuarjes së tyre. Shteti shqiptar e ka për obligim që sa më parë të dal me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës. Për shpirtrat e Elfetes, Afrimit e Ferdinazes, për familjen Haliti, për Gjilanin, për Kosovën, për Shqipërinë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Haliti për këtë humbje të madhe. Zoti ua lehtësoftë dhembjen”, ka shkruar Haziri.

Dyshohet se shtatasit nga Gjilani kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. /UBTNews

Exit mobile version