Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu ka pretenduar se për inaugurimin e Klinikës së Emergjencës janë marrë shtretërit nga spitali i fëmijëve. Sipas tij, kjo është bërë për promovimin e kryeministrit Albin Kurti. Këtë e ka mohuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se Haxhiu po thotë të pavërteta dhe po “vjell vrerë”.
Në seancë plenare, deputeti i PDK-së tha se janë marrë shtretërit nga traumatologjia e fëmijëve për t’u vendosur në Klinikën e Emergjencës.
“Për të bërë promovime kur u inaugurua Klinika e Emergjencës, shtretërit merren nga spitali pediatrik për një promovim të kryeministrit Kurti, nga traumatologjia e fëmijëve….Kjo është edhe fatkeqësi, edhe tragjedi dhe paaftësi që në momentin e inaugurimit të Emergjencës të merren shtretërit nga traumatologjia e fëmijëve. Pse a nuk kishte buxhet të mjaftueshëm për të blerë shtretër të rinj në Emergjencë, apo duhet të bëhen vetëm fasada e lyerje a mendon dikush me rrit kapacitetin e Emergjencës”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i ka reaguar Haxhiut, duke i thënë se po thotë informacione të pasakta.
“Me gjysmë informacione ose me informacione të pasakta me dalë me vjell vrerë edhe me thënë të pavërteta këtu nuk është korrekte. Në shtatë vitet e fundit, hera e parë sivjet që trendi i ikjes së mjekëve nga Republika e Kosovës është ulur. Vetëm shikoni shifrat nuk ka nevojë unë këtu të flasë apo sqarojë, besoj që këto shifra i ka edhe deputeti Haxhiu, mirëpo del edhe thotë të pavërteta”, ka reaguar Vitia.
Tutje Vitia mohoi që Klinika Emergjente është inauguruar me shtretër të marrë nga Klinika e Pediatrisë.
“E përmendi (Bekim Haxhiu) Klinikën Emergjente që është inauguruar me disa shtretër të cilat i kemi marrë nga Klinika e Pediatrisë. Një e pavërtetë tjetër. Ne i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet që nuk shfrytëzohen brenda klinikave, në klinikën aktuale emergjente janë shtuar tetë shtretër kurse sa i përket Qendrës Emergjente një projekt i filluar qysh nga vitit 2015, me 101 mijë telashe tash natyrisht është në OShP e po presim përgjigjen për të vazhduar tutje por nuk do të ketë më probleme”, tha ai.