UBT News

Haxhiu: Spitalet janë në limitin e fundit para kolapsit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherit anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Haxhiu thotë se klinikat me COVID-19 janë shndërruar në vatra kryesore të përhapjes së infeksionit.

Në një shkrim në Facebook, Haxhiu shkroi se spitalet janë limitin e fundit para kolapsimit.

“Klinikat me COVID-19 janë shëndrruar në vatra kryesore të përhapjes së coronavirusit. Dhomat e pacientëve të infektuar me coronavirus janë të mbushura me familjarë, po ashtu koridoret përplot me civilë e familjarë të pacientëve. Në këto koridore nuk mund të gjesh as edhe një sterilizues, nuk ka as aparata për dezinfektim. Po ashtu nuk ka vi ndarëse me ambientet e kontaminuara dhe kjo rezulton me përhapje të virusit nga klinikat.Institucionet siç është p.sh. Kuvendi i Kosovës dhe të tjerët që i kanë vendosur kabinat dezinfektuese në hyrje të objektit le t’i dhurojnë ato për klinikat me COVID-19”, shkroi ai mes tjerash.

Haxhiu i ka propozuar Ministrisë së Shëndetësisë të bëjë rifreskim të stafit duke angazhuar edhe vullnetarë.

“Të fillojnë punën menjëherë specializantët e pranuar në mënyrë vullnetare deri me 31.12.2020 dhe me pasë me pagesë nga viti i ardhshëm. Të krijohen ekipet mjekësore profesionale për kujdes dhe trajtim të pacientëve në të gjitha klinikat me COVID-19. Të punohet urgjentisht në përgaditjen e hapësirave për pranim të numrit edhe me të madh të pacientëve të mundshëm”, përfundoi Haxhiu./UBTNews

Exit mobile version