Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka deklaruar se vendimi për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak ndaj ish-policit, Dejan Pantiq, është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institicionet.
Ajo ka potencuar se vendimi i tillë është i papranueshëm dhe që do të mbetet në historinë e Kosovës.
“Nuk di si ta kuptoj dhe si është e mundshme që dikush që akuzohet për një vepër aq të rëndë që ka të bëj me terrorizëm, të shkoj në arrest shtëpiak madje sipas legjislacionit, për shkak të peshës së rëndë të veprës penale, nuk mund të shqiptohet një masë e e butë sikur ajo e arrestit shtëpiak. Nuk është se kemi pasur ndonjë ëndërr që sistemi i drejtësisë do të çlirohet pa reformën në drejtësi por ama të ndodhë edhe kjo që ndodhi sot është e papranueshme dhe diçka që do të ngelet në historinë moderne të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, duke e quajtur vendimin e dëmshëm.
“Në vend se institucionet e drejtësisë të mbronin rendin kushtetues e qytetarët, njësoj sikur po angazhohet policia edhe fizikisht në veriun e vendit tonë, këta prej zyrave të tyre marrin vendime aq të dëmshme e të cilat përveç tjerash janë inkurajim për bandat kriminale e terroriste në veriun e vendit tonë”, ka shkruar tutje ministrja.
Ndryshe, ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq është arrestuar më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Arrestimi i Pantiqit ka nxitur ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat janë vendosur nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.