Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykimin dënues për Dardan Krivaqën dhe Arbër Sejdiun, lidhur me vrasjen e Marigona Osmanit.
Ajo ka thënë se Marigona do të kujtohet si shpresa për të gjitha gratë viktima të dhunës e vrasjeve që presin përgjigje nga sistemi i drejtësisë.
“Marigona dhunshëm u nda nga jeta, në moshë tejet të re, pa pasur mundësi të shohë perspektivën e jetës e ëndrrat të cilat nuk arriti t’i jetësonte. Marigona do të mbetet në kujtimet e të gjithë neve, me dhimbjen për ndarjen e saj nga kjo botë dhe mizorinë të cilën e përjetoi”, ka shkruar ajo në Facebook.
Për vrasjen e Marigona Osmanit, Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për veprën penale “vrasje e rëndë”. Ndërkaq, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”.