Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Konfederatës Zvicerane në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin.
Haxhiu i ka uruar ambasadores mirëseardhje në Kosovë dhe sukses në misionin e saj diplomatik, duke shprehur bindjen se gjatë mandatit të saj do të forcohen më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës.
Ajo ka theksuar se Kosova e vlerëson miqësinë dhe mbështetjen e Zvicrës, veçanërisht gjatë periudhave më të vështira, si dhe bashkëpunimin në fushat politike, ekonomike, zhvillimore dhe të sigurisë.
Haxhiu ka veçuar edhe rolin e mërgatës së Kosovës në Zvicër, duke thënë se ajo ka dhënë kontribut të rëndësishëm në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të të dyja vendeve.
U.D. Presidentja e ka siguruar ambasadoren Cattin Hennin për bashkëpunimin e plotë të institucioneve të Kosovës në avancimin e mëtejshëm të partneritetit mes dy shteteve./A.K/
