Ministrja Albulena Haxhiu është larguar nga objekti i Kuvendit, pasi ky i fundit ka shkuar në një pauzë dyorëshe pas rrahjes mes deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.
Ajo nuk është deklaruar për media, veçse shkurt ka thënë se “Unë besoj qe veprimet e bandave në Kuvendin e Kosovës i keni parë dhe ato mjaftojnë”, tha ajo.
Rrahja në Kuvend ka nisur gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti. Ishte deputetja e PDK-së Ganimete Musliu që i ka vendosur Kurtit në foltore një fotografi në të cilën ai shihet me hundë të gjatë si “Pinokio”. Ajo fotografi është larguar dhe shqyer nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Pas kësaj deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurti. Ministri Hekuran Murati është ngritur për të mbrojtur atë me një dosje e Lushtaku është kthyer që ta lagë edhe Besnik Bislimin, ku ky e ka hedhur shishen afër Lushtakut. Pastaj aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së të cilët janë përfshirë në rrahje.