Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se adresimi për krime të luftës dhe ballafaqimi me të kaluarën mbeten një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti.
Në një konferencë më gazetarë pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haxhiu tha se tashmë janë ndërmarrë shumë veprime për adresimin e krimeve që janë kryer gjatë periudhës së luftës në Kosovë të kryera nga Serbia.
Për këtë ajo përmendi sektorin e policisë e që tani është ngritur në nivel të drejtorisë, ku më parë kanë qenë 17 policë hetues e që tashmë janë bërë 41 të tillë me strukturën e re.
Haxhiu gjithashtu përmendi edhe rritjen e buxhetit për Këshillin Prokurorial të Kosovës me qëllim që të shtohet numri i prokurorëve në kuadër të departamentit për adresimin e krimeve të luftës.
“Pasi që jeni në dijeni, adresimi për krime të luftës dhe ballafaqimi me të kaluarën mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes të cilës Ministria e Drejtësisë është e angazhuar që nga fillimi mandatit. Në këtë drejtim duke qenë prioritet tashmë janë ndërmarrë shumë veprime për adresimin e krimeve që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Në këtë drejtim më lejoni shkurtimisht t’i përmendi disa prej veprimeve kryesore që ndërlidhen me një nga dokumentet më të rëndësishme që sapo është miratuar në qeveri. Së pari sa i përket policisë ju e dini që ka qenë sektor dhe është ngritur në nivel të drejtorisë. Kanë qenë vetëm 17 policë hetues në këtë sektor dhe tashmë janë bërë 41 me strukturën e re. 32 janë momentalisht dhe pritet që pjesë tjetër të plotësohen. Krahas kësaj gjatë periudhës 2021-2022 ne kemi shtuar buxhetin për Këshillin Prokurorial të Kosovës me qëllim që në kuadër të departamentit për adresimin e krimeve të luftës të shtohen prokurorë, bashkëpunëtor profesional, përkthyes dhe staf mbështetës, kemi shtuar buxhet për katër prokurorë”, tha ministrja Haxhiu.
Në këtë konferencë, Haxhiu u pyet se pse Kodi Civil nuk po vije në Qeveri për miratim e më pas i njëjti të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Në përgjigjen e saj, Haxhiu tha se Kodi Civil është një nga zotimet e Qeverisë Kurti pasi sipas saj, ky është një dokument i rëndësishëm në interes të qytetarëve të Kosovës që avancon të drejtat e njeriut.
Ministrja Haxhiu theksoi Kodi Civil nuk pritet të kalojë për miratim në Kuvend për aq kohë sa nuk janë sigurt që i njëjti t’i ketë votat e mjaftueshme pasi që për Kosovën nuk do të ishte lajm i mirë dështimi për miratim.
“Sa i përket kodit civil, ju e dini që kodi civil është një nga zotimet të cilat ne i kemi adresuar por që fatkeqësisht ende nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Qeveria konsideron se është një dokument i rëndësishëm. Është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës me qëllim të realizimit të drejtave civile, avancon të drejtat e njeriut prandaj e konsiderojmë si dokument të rëndësishëm. Ne nuk mund ta procedojmë në Kuvend për sa kohë nuk jemi të sigurt që Kodi Civil kalon. Mendoj se nuk është mirë për Kosovën që një dokument kaq i rëndësishëm të dështojë në Kuvend, por ne nuk kemi hequr dorë nga ai dokument sepse ne nuk i negociojmë të drejtat e njeriut”, tha Haxhiu.