Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e Kosovës (APK) ka lansuar programin e mentorimit për verifikimin e pasurisë të zyrtarëve publikë me ekspertë nga Këshilli i Evropës.
Programi i mentorimit fokusohet në procesin e verifikimit dhe auditimit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë që kryhet nga APK, në përputhje me Ligjin për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave si dhe Ligjin për APK-në.
Programi do t’u ofrojë stafit të APK-së mundësinë për t’u njoftuar me praktikat më të mira evropiane në verifikimin e aseteve të deklaruara nga zyrtarët shtetërorë të Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se një shoqëri nuk mund të ketë rrugën e ndritur nëse ata që drejtojnë institucionet apo që janë në nivele të tjera veprojnë kundërligjshëm dhe nga puna e tyre e kundërligjshme krijojnë pasuri marramendëse.
“Në Kosovë kemi pasur shumë të tillë. Por këta të fundit duhet ta dinë që kjo pasuri e paligjshme apo e pajustifikueshme asnjëherë e tyre nuk do të bëhet, sepse drejtësia herë-do-kur me ta do të merret dhe pasuria e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit me qëllim të përdorimit për shtresat që kanë më së shumti nevojë. Si qeveri, përgjatë gjithë kësaj kohe, jemi angazhuar që të fuqizojmë legjislacionin kundër korrupsionit dhe të adresojmë secilën shkelje që kemi gjetur”, tha Haxhiu.
Ndërsa drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se ky program është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të forcuar kapacitetet e APK-së për të parandaluar korrupsionin.
“Deklarimi dhe verifikimi i pasurisë është një mjet kyç në përpjekjet për parandalim të korrupsionit. Ky program do të ndihmojë stafin tonë të zhvillojë aftësitë dhe njohuritë që u nevojiten për të hetuar në mënyrë më efektive rastet e shkeljeve eventual dhe rrjedhimisht t’i shërbejmë më mirë popullit të Kosovës”, tha ai.
Ndryshe, eksperti i Këshillit të Evropës do t’i ofrojë stafit të APK-së mentorim, trajnim kolektiv dhe individual, përgjatë procesit të verifikimit të deklarimit të pasurisë për vitin paraprak.
Programi i mentorimit do të mbulojë një gamë të gjerë temash që lidhen me verifikimin e pasurisë, duke përfshirë praktikat ndërkombëtare krahasuese lidhur me verifikimin dhe auditimin e deklarimit të pasurisë, hapat për identifikimin e flukseve financiare dhe procedurat për të marrë informacione lidhur me asetet e mbajtura brenda dhe jashtë vendit nga zyrtarët publikë, si dhe procedurat e verifikimit dhe auditimit të deklarimit të pasurisë.
APK beson që programi i mentorimit do ta ndihmojë atë të bëhet një agjenci më efektive dhe efikase në përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, si dhe për të promovuar transparencën dhe llogaridhënien në Kosovë.
Programi pritet të ketë një ndikim pozitiv në aftësinë e APK-së për të adresuar edhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut për sa i përket verifikimit të deklarimit të pasurisë të zyrtarëve nga radhët e sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës.
Programi i mentorimit realizohet me përkrahjen e Projektit kundër Krimit Ekonomik (PECK III) dhe është pjesë e një nisme bashkëpunimi të Bashkimit Evropian (BE) dhe Këshillit të Evropës të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe i zbatuar nga ky i fundit.