Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ende nuk kanë vendosur se cilin skenar do ta përdorin për vetingun në drejtësi. Ajo tha se e kanë mundësinë për ndryshime kushtetuese, por do të punojnë edhe për ndryshimet ligjore, si alternativa tjetër nëse ka ngecje për të parën. Sipas saj, ditëve në vijim do ta qartësojnë pozicionin e tyre.
Në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Haxhiu paralajmëroi edhe Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës se nuk do ta kenë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë në rast se nuk punojnë bashkërisht për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
“Sa i përket skenarëve është çështja se a do të shkojmë me ndryshime kushtetuese, duke pas parasysh se nene të kushtetutës lidhen me përbërjen e KGJK-së, ndërsa me KPK lihet me ligj sa i përket përbërjes. Megjithatë ende nuk kemi vendosur për cilin skenar do të ndjekim, pro nëse shkojmë me ndryshime kushtetuese do të kemi edhe planin b, në mënyrë se nëse dështojnë ndryshimet kushtetuese në Kuvend, të shkojmë përmes ndryshimeve ligjore”, tha ajo.
Sipas saj, relacionet ndërmjet ministrisë që udhëheq me dy institucionet tjera të pavarura të drejtësisë do të jenë të mira në momentin kur duan të bëjnë punë të tilla.
“Relacionet ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial dhe anën tjetër Këshillit Gjyqësor do të jenë të mira në momentin kur duam të bëjmë punë të mira. Unë nuk mund t’i mbështetës as KPK-në dhe as KGJK-në nëse ata iu mbyllin sytë përballë shkeljeve dhe skandaleve me të cilat jemi përballë gjatë kësaj jave dhe ditëve të fundit. Në momentin kur nuk ka reagime nga skandalet e incizimeve që u publikuan, padyshim se do të kritikohen nga Ministria e Drejtësisë. Pasi ne jemi zotuar se do të kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë…Paralajmëroj KPK-në dhe KGJK-në se ata nuk do të kenë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë në rast se nuk duan të punojmë bashkërisht për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, u shpreh Haxhiu.
Pjesë e kësaj konference ishte edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i cili sqaroi masat e miratuara për ringjallje ekonomike. Ai tha se me vendimin për mbështetje të pensionistëve dhe familjeve për skema sociale, asnjë pensionist nuk do të mbetet nën shumën 100 euro.
Ndërsa për mbulimin e policës kufitare, Murati tha se ajo është një simbolik për mërgimtarët se shteti iu largon gjitha barrierat për të ardhur në vendlindje.
“Skemat e asistencës sociale kanë shtesa prej 30 përqind mbi nivelin e të hyrave që marrin, kurse pensionistët asnjë nuk mbeten nën shumën 100 euro. Ky subvencionim e heq një barrë, apo lehtëson mërgatën tonë, jo domosdo nga aspekti ndërkombëtar, por është një shenj simbolike për të treguar se janë të mirëseardhur në vendin e tyre dhe se shteti i largon barrierat që për ta janë të panevojshme”, deklaroi Murati.