UBT News

Haxhiu: Paneli po refuzon pa arsye kërkesat e të burgosurve

Numri i kërkesave për lirim me kusht në vitin 2021 ka qenë mbi 700, ku vetëm 29% e tyre janë aprovuar. Ankesat më të shpeshta të të burgosurve janë se vendimet po refuzohen pa arsye. Këto ankesa janë evidentuar edhe në raportin monitorues të misionit të EULEX-it për aplikimin e lirimit me kusht në Kosovë.

Në prezantimin e këtij raporti u tha se dënimi nuk çon domosdoshmërisht në rehabilitim, derisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se kanë vlerësuar që të ankimohen vendimet e panelit e lirimit me kusht.

Shefi i misionit, Lars-Gunnar Wigemark, tha se raporti që përmbledh monitorimin e aplikimit për lirimin me kusht në Kosovë, mbulon periudhën prej muajit mars 2022 deri në shtator të këtij viti.

“Korniza ligjore e Kosovës është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Dhe shumë prej këtyre rekomandimeve që ne i japim nuk kërkojnë ndryshime të legjislacionit, por mund të zbatohen thjesht përmes përshtatjeve të praktikave të institucioneve përgjegjëse. Raporti special që po e lansojmë sot përqendrohet në temën e lirimit me kusht, si aspekt i rëndësishëm i drejtësisë penale. Lirimi me kusht i referohet lirimit të mbikëqyrur të të burgosurve, para përfundimit të dënimit të tyre të plotë. Ai është krijuar për të ofruar individëve një mundësi për tu riintegruar gradualisht në shoqëri me disa kushte specifike. Koncepti i lirimit me kusht pranon se dënimi si i vetëm nuk qon domosdoshmërisht në rehabilitim”, tha Wigemark.

Wigermark ka përmendur të miturit dhe gratë, për të çka tha se duhet të shfrytëzohet në masë të madhe lirimi me kusht.

“Qëllimi i këtij raporti është që të ofrojmë një pasqyrë të gjendjes aktuale të lirimit me kusht në Kosovë. Të analizojë zbatimin e tij në praktikë dhe të sugjerojë fusha të mundshme për përmirësim. Një fushë dhe kjo e para lidhet me shkelësit e mitur, shkelësit e ri. Në rastet e tilla, lirimi me kusht duhet të përdoret në masën më të madhe të mundshme, sipas mendimit tonë dhe tu jepet në kohën më të hershme të mundshme. Kjo natyrisht se do të minimizonte efektet negative të burgosjes për rrezikun e recidivizmit nga të rinjtë. Fusha e dytë prioritare, sipas mendimit tonë, duhet të jenë gratë e burgosura. Nevojën për të integruar një perspektivë gjinore në zbatimin e kësaj mase dhe të merret parasysh nevojat e tyre specifike për riintegrim”, shtoi ai.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për siguri publike dhe parandalimin e krimit.

“Lirimi me kusht i të dënuarve nuk është vetëm një proces ligjor, por edhe njerëzor apo human. Sepse konsiderohet duke marrë parasysh si sjelljen dhe korrektimin e të dënuarve, ashtu edhe sigurinë publike por edhe interesat e institucionit. Në vendet demokratike sikurse është edhe Republika e Kosovës, lirimi me kusht është një instrument i zakonshëm në sistemin e drejtësisë penale. Nëse një person i dënuar ka treguar një sjellje të mirë, ka pranuar përgjegjësinë për veprën e tij dhe është përgatitur për tu rikthyer në shoqëri, ai apo ajo duhet të ketë mundësinë për të kërkuar lirimin me kusht. Ne si MD kemi punuar dhe vazhdojmë punën bashkë me akterët relevantë për përmirësimin e mekanizimit për lirimin me kusht të të dënuarve, si dhe sigurimin që ky proces të jetë në përputhje me parimet dhe vlerat kushtetuese por edhe standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, deklaroi Haxhiu.

Në vizitat në qendrat korrektuese, siç tha Haxhiu, një prej ankesave më të shpeshta kanë qenë vendimet e panelit me lirim me kusht.

“Konsiderohet që janë vendime standarde që nuk janë vendime individuale dhe që shumica e tyre refuzohen, pa treguar arsye se pse po refuzohen. Dhe kjo evidentohet edhe në raportin që sot po lansohet. Prandaj ne si ministri gjatë kohës sa kemi adresuar çështjet e pakos ligjore, Ligjit për Shërbimin Korrektues, Sprovues por edhe për ekzekutimin e sanksioneve penale kemi vlerësuar që për të adresuar këtë shqetësim të të burgosurve, ta bëjmë edhe ankimimin e këtyre vendimeve. Sepse siç e dimë, këto vendime nuk kanë pasur mundësi që të ankimohen”, shtoi ministrja e Drejtësisë.

Shefja e njësisë korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, tha se për këtë raport janë kryer vizita monitoruese në gjashtë institucione të Shërbimit Korrektues. Ajo shtoi se para lirimit me kusht, të burgosurit duhet të plotësojnë disa kritere.

“Gjatë vizitave fillestare, EULEX-i intervistoi edhe stafin e përfshirë në këtë proces, kryesisht punëtorët social dhe zyrtarë ligjor në mënyrë që të merr ose të fitojë një pasqyrë të përgjithshme të statusit të lirimit me kusht. Gjithashtu, njësia korrektuese ka kërkuar që institucionet korrektuese të japin numrin e kërkesave për lirim me kusht, nga viti 2021 dhe rezultatin apo epilogun e tyre. Numri i përgjithshëm i kërkesave për atë vit, arrinte në 705, nga të cilat 29 për qind u miratuan, kurse 71 për qind u refuzuan”, theksoi ajo.

Zëvendësuesi i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, u zotua se tashmë vlerësimi për lirim me kusht tashmë do të bëhet në afërsi me të dënuarit.

“Tani e tutje ky vlerësim do të bëhet në bashkëpunim apo në afërsi me secilin të dënuar, duke pasur një pasqyre reale i dënuari. Secili raport është duke u përcjellur të paneli i lirimit me kusht. Sigurisht që kjo neve na ka shkaktuar telashe në të kaluarën, sepse në momentin kur një i dënuar pranon një vendim negativ nga paneli për lirim me kusht dhe ka vonesa ditore, vonesa edhe javore, neve na shkakton edhe telashe në raport me menaxhimin ditor. Fatmirësisht kjo dukuri ka filluar të përmirësohet”, deklaroi ai. 

Exit mobile version