Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas shkarkimit nga detyra të këshilltarit të jashtëm të ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi. Ish-këshilltari i Selimit, Enis Qarka, ishte i arrestuar në vitin 2018 nën dyshimin se ishte kapur me 113 kilogramë narkotikë.
Haxhiu konsideron se në secilin shtet normal, ministri do të duhej të jepte dorëheqje.
“Për këtë në secilin shtet normal, Ministri do të duhej të jepte dorëheqje. Sot, Ministri që këshillohej nga ai që ishte zënë me 113 kg drogë, paska thënë që pas raportimit në medie e ka liruar nga detyra këshilltarin. Pra meqë mediat paskan raportuar se përndryshe as nuk do të bëhej fjalë për lirimin e tij.Si ka mundësi që vendos nënshkrimin për një këshilltar që nuk e di se kush është? Në faqen e Ministrisë së Drejtësisë janë vendimet për këshilltarët tjerë por jo edhe për këtë. Kjo vërteton që Ministri e ka ditur por nuk u thotë JO atyre që e kanë vendosur në krye të Ministrisë!”, shkroi ajo në Facebook./UBTNews