UBT News

Haxhiu: Më duket se ministri Latifi ka shkuar në Amerikë, pasi Kurti ia mori kompetencat

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka shprehur mëdyshje se ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi, ka shkuar në Amerikë për shkak se kryeministri, Albin Kurti, ia ka marrë kompetencat, me themelimin e komisionit ekzekutiv për shëndetësi.

Në seancën e sotme të Kuvendit, gjatë pyetjeve parlamentare, në mungesë të ministrit Latifi, deputeti opozitar e pyeti kryeministrin për siç tha gjendjen e mjerueshme në shëndetësi dhe keqpërdorimet e mëdha.

“Po më doket se për shkak që (kryeministri) ia ka marrë kompetencat Rifat Latifit, ai ka ikë për në Amerikë, është në një aktivitet më të rëndësishëm se kjo. Pyetjen po e lexoj nëse kryetari i komisionit ekzekutiv për shëndetësi, Albin Kurti, ka mundësi të na përgjigjet. Sipas raportit të Auditorit për SHSKUK-në në vitin 2021 janë evidentuar keqpërdorime të shumta. Në 61 raste me vlerë 7 milionë e 864 mijë euro mungon raporti i pranimit të mallit që duhej përgatitur nga menaxherët e kontratave. Në 17 raste në vlerë 1 milionë e 759 mijë euro urdhërblerje ishin proceduar pas pranimit të mallit e faturës. Këto abuzime me furnizime mjekësore, me ushqim, sigurim të automjeteve, pastrim e karburant e sigurim fizik. Në 12 raste 2 milionë e 442 mijë euro nuk ishin paguar faturat brenda afatit ligjor. Po besoj e dini stilin e kësaj qeverie pse kanë ndodhur vonesat, për pazare të stilit 20 mijë tash e 10 mijë më vonë. Hajni e keqpërdorime deri në procedura të prokurimit për transport të kufomave për shërbimet funerale për viktimat e COVID-19. Lista e pritjeve për diagnostikime e operime është rritur me bordin e SHSKUK-së të emëruar nga qeveria Kurti. Në kardiologji lista e pritjeve ishte 0-7 ditë, ndërsa tash është 1 vjet e gjysmë. Cilat do të jenë masat e kryetarit të Komisionit Ekzekutiv ndaj këtij raporti për të vënë para përgjegjësisë keqpërdoruesit”, theksoi ai.

Megjithatë, kryeministri Kurti nuk u përgjigje në pyetet e deputetit Haxhiu. 

Exit mobile version