Edhe këtë takim të sotëm të grupit punues për procesin e vettingut e kanë bojkotuar anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, të cilët po refuzojnë grupin punues për shkak se është ndërhyrje në drejtësi. E për këtë shprehu keqardhje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Përfaqësues të KPK dhe KGJK kohë më parë janë larguar nga ky grup punues për shkak se nuk janë marrë për bazë rekomandimet e tyre dhe se i gjithë procesi rrezikon pavarësinë e këtyre dy institucioneve.
Haxhiu gjatë këtij takimi u shpreh se pas komenteve të Komisionit të Venecias për këtë proces ndodhen para një situate të re dhe më të ndriçuar për reformën në drejtësi.
“Kemi pas debate dhe ballafaqime të shumta dhe natyrisht që secila prej tyre veç sa i ka ndihmuar reformës në drejtësi dhe duke qenë që është një proces i ndjeshëm dhe aq jo i lehtë, ne kemi konsideruar qysh në fillim të punës tonë që të konsultohet me Komisionin e Venecias si trup e rëndësishme në raport me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe në këtë drejtim pas pranimit të opinionit të Komisionit të Venecias, ndodhemi në një situatë të re dhe duket që e kemi të ndriçuar rrugën për ta përmbyllur rrugën në drejtësi”, u shpreh ministrja e Drejtësisë.
Ndërsa, për mosprezencën e anëtarëve të KPK-së dhe KGJK-së në këtë takim, ajo tha se janë të interesuar me të gjitha institucionet të bashkëpunojmë ngase kjo reformë nuk ka të bëjë me emra të përveçëm.
“Më vjen keq që sot nuk janë të pranishëm përfaqësuesit e KPK-së dhe KGJK-së megjithatë ne jemi shumë të interesuar që të bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë përfshirë sistemin prokruroial dhe atë gjyqësor përfaqësuesit e të dyja institucioneve kanë qenë të pranishëm në fazat kur ne kemi hartuar koncept-dokumentin dhe tani meqenëse kemi një opinion të Komisionit të Venecias që është opinion profesional unë besoj që të gjithë duhet të jemi të unifikuar në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga opinioni i Venecias. Prandaj, duke qenë se jam shumë e interesuar që ta kem këtë bashkëpunim dhe që bashkarisht ta adresojmë reformën në drejtësi sepse kjo nuk bëhet kundër emrave të përveçëm por ka për qëllim ta kthej besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë ne sërish do t’i ftojmë ata që të jenë të pranishëm në grupet tona punuese dhe të japin kontributin e tyre në mënyrë që të adresohen rekomandimet e dhëna”, theksoi ajo.
Ajo tha se foksi duhet të jetë në çështjen e draftimin e amendamenteve kushtetuese në linjë me opinion e Venecias.
Ministrja e Drejtësisë u shpreh e bindur se Kosova po hyn në një etapë të re dhe kjo reformë në drejtësi do të përmbyllet me sukses.
“Fazat më tutje do t’i dakordojmë bashkarisht por foksi duhet të jetë në çështjen e draftimin e amendamenteve kushtetuese në linjë me opinion e Venecias, e kemi një draft të amendamenteve kushtetuese që janë vlerësuar tash edhe me opinionin e Venecias, por duhet që të bëhet disa ndryshime dhe pastaj të njëjtat t’i procedohen Kuvendit të Kosovës dhe pastaj krahas procesit të trajtimit nga Gjykata Kushtetuese sepse siç e dimë amendamentet kushtetuese shkojnë për mendim në Gjykatën Kushtetuese, para se të votohen në Kuvend, ne të fokusohemi në çështjen e ndryshimeve ligjore që ndërlidhen edhe me opinionin e Venecias. Kosova po hyn në një etapë të re dhe unë kam besimin e plotë që kjo reformë e plotë do të përmbyllet me sukses”, theksoi Haxhiu.
Ndryshe, opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun bashkë me Byron Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme janë publikuar në fillim të javës së kaluar.