Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po synon që brenda një muaji ta dërgojë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen për dhënien e qelive me qira për të burgosurit e Danimarkës. Këto komente ajo i bëri në një konferencë për medie pas takimit që zhvilloi me homologun e saj shqiptar, Ulsi Manja.
Haxhiu tha se deri më tani janë zhvilluar diskutime me ministrat e Ekonomisë të Kosovës dhe Danimarkës lidhur me mbështetjen për energjinë e gjelbër dhe këto diskutimet tashmë tha se kanë përfunduar.
Ajo tha se renovimet në qendrën e paraburgimit në Gjilan nuk mund të nisin pa u bë ratifikimi i kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës.
“Sa i përket Danimarkës ne kemi pas diskutime të gjata ndërmjet ministrive të Ekonomisë, ajo e Kosovës por po ashtu edhe e Danimarkës tashmë me duhet të them që diskutimet që kemi pas janë përmbyllur dhe kanë pasur të bëjnë me mbështetjen për energjinë e gjelbër një pjesë e konsiderueshme e mbështetjes vjen edhe për energjinë e gjelbër. Prandaj, ne nuk kemi mundur që ende të nisim renovimet në qendrën në Gjilan për faktin se pa u ratifikua marrëveshja në Kuvendin e Kosovës nuk mund ta bëjmë, por duket që e njëjta shumë shpejt do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, mund të them 1 muaj por nëse nuk arrijmë brenda 1 muaji uroj që mos të ma zini të madhe, por synimet janë që brenda 1 muaji kjo marrëveshje të procedohet në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Haxhiu.
Në fund të prillit të këtij viti Kosova ka nënshkruar marrëveshje me shtetin danez për dhënien me qira të 300 qelive. Këta të burgosur të huaj është paraparë të vendosen në qendrën e paraburgimit në Gjilan. E përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje pritet të jenë 210 milionë euro.
E pas arritjes të kësaj marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Shqipërisë kujtojmë që pati dhënë dorëheqje nga detyra e ministrit të Drejtësisë në Danimarkë, ministri Nick Hækkerup.