Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Gjykata Kushtetuese është duke e penguar reformën jo vetëm në drejtësi, por edhe në sektorë të tjerë. Ajo tha se Gjykata Kushtetuese është duke vonuar shumë që të marrë vendime sa i përket ligjeve të dërguara në këtë Gjykatë.
“Mendoj që është fakt. Fakti që ligji për Gjykata Kushtetuese thotë se duhet të kthej përgjigje brenda një muaji, ne presim një vit për një vendim, kjo bënë problem se ka pasoja afat gjatë. Nuk mendoj që duhet ta marrim dikë më të marr që të merr një vendim të mirë, nuk funksionon kështu shteti”, tha ajo.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula janë duke u mbajtur padrejtësisht në burgjet e Serbisë.
Ajo tha se së fundi është ndaluar edhe Hasan Dakaj, ku për këtë ajo u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë ashpër ndaj kësaj sjellje të Serbisë.
“Javën e kaluar dy qytetarë të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe u arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj dhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Siç e kemi theksuar në vazhdimësi kjo nuk hera e parë që qytetarët tanë torturohen, arrestohen, mbahen për vite të tëra në burgjet e Serbisë. Edhe përkundër përpjekjes tonë që të vendosim bashkëpunim juridik ndërkombëtar në raport me çështje të tilla, në anën tjetër përballemi me një neglizhencë të Serbisë, e cila siç duket ende nuk është shkëputur nga e kaluara e saj kriminale. Në vazhdimësi dhe për çdo ditë po vepron njësoj. Sigurisht, si Ministri e Drejtësisë do të jemi në komunikim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës…Ne edhe për zotin Nezir Mehmetaj i kishim kërkuar Serbisë që ta transferojë në Republikën e Kosovës, por në anën tjetër asnjëherë nuk i kemi marrë përgjigjet për të njëjtën…Këtu thërrasë partnerët ndërkombëtarë duhet të bëjnë shumë më shumë presion ndaj Serbisë dhe të mos injorojnë veprimet e tilla që Serbia po i bënë në vazhdimësi”, deklaroi ajo.
Tutje ajo njoftoi se Qeveria sot ka ndarë afër 300 mijë euro për strehimore, duke shtuar se ky vendim është e rëndësishme edhe miratimi i vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për strehimoret.
“Pas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe aprovimit nga Ministria e Financave sot qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë shumën prej 287 mijë euro për strehimore që strehojnë viktimat e dhunës në familje dhe për organizata që janë të licencuara për të ofruar shërbime sociale dhe familjare. Kjo është një fond emergjent në mënyrë që sapo Ministria e Drejtësisë të përfundoj thirrjen publike dhe të gjitha procedurat në raport me mbështetjen e strehimoreve dhe organizatave të shoqërisë civile që kryejnë shërbime sociale dhe familjare që këto organizata të arrijnë që t’i kryejnë përgjegjësitë sipas përcaktimeve që i kanë…Në vitin 2023 mbështetja për strehimoret ka qenë në vlerë prej 892 mijë euro. Poashtu, me vendim të qeverisë në vlerë prej 300 mijë euro dhe përmes thirrjeve publike ne kemi arritur që të ndajmë buxhetin më të madh që është ndarë ndonjëherë për strehimoret dhe për organizata që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare”, tha ajo.