Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka kërkuar nga autoritet e Serbisë transferimin e katër shtetasve të Kosovës që aktualisht po mbahen në burgjet e Serbisë. Ajo përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka publikuar edhe letrën që ia ka dërguar ministres së Drejtësisë në Serbi, Maja Popovic.
Personat që janë arrestuar janë: Nezir Mehmetajn, Hasan Dakajn, Sadik Durakun dhe Tefik Mustafën.
“Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa duhet kthyer në Kosovë për tu gjykuar drejtë dhe paanshëm nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Nezir Mehmetaj u arrestua më 2020 në Merdare, në njërën prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK),është ndaluar po ashtu, në Merdare, në janarin e këtij viti.
Sadik Duraku u ndalua më 17 prill të po këtij viti, në një pikë kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë. Atij i është vazhduar së voni masa e paraburgimit edhe për 30 ditë. Ndërsa Tefik Mustafa u arrestua më 1 qershor në Merdare.