Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi sot se janë në koordinim me deputetët e LVV-së për votimin e Kodit Civil. Ajo tha se duhet të sigurohen se i njëjti do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, për çka u shpreh se kjo u ka marrë kohë.
Para gazetarëve, gjatë së mërkurës, ministrja e Drejtësisë shtoi se do të kenë nevojë edhe për mbështetjen e opozitës për këtë projektligj.
“Besoj që jeni në dijeni, jemi në koordinim edhe me Grupin Parlamentar në mënyrë që ta procedojmë Kodin Civil. Ju e dini që unë kam thënë qëndrimet e mia sa i përket votimit në kuvend, rrëzimit të tij. Mendoj që Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë mirë. Megjithatë, ka qenë nën mandatin e tyre që të vlerësojnë ashtu. Paraprakisht ne duhet të sigurohemi që Kodi Civil kalon. Dhe për këtë arsyeje kjo na ka marrë kohë, sepse jemi në koordinim me deputetët edhe me të Grupit Parlamentar, sikurse pastaj kemi nevojë edhe për mbështetjen e opozitës që i njëjti të kalojë”, deklaroi Haxhiu.
Më tej, Haxhiu shtoi se nuk është mirë për Kosovën që Kodi Civil të ta ketë fatin e herës së kaluar.
“Tendenca apo synimet tona janë që i njëjti të kalojë, pra që të mos ketë fatin sikurse ka pasur në të kaluarën. Nuk mendoj që është mirë për Kosovën, sidomos kur ne pretendojmë të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës që të mos e votojë një dokument që ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Prandaj edhe uroj që Kuvendi i Kosovës ta miratojë atë”, u shpreh ajo.
E pyetur në lidhje me personat përgjegjës për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, Haxhiu tha se nuk është në dijeni që të njëjtit janë duke avancuar në pozita.
“Nuk jam në dijeni dhe do ta kundërshtojë ndonjë tendencë për avancim të ndonjë personi, i cili po hetohet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit. Sic jeni në dijeni, tre persona kanë qenë përgjegjës për hapësirën ku ruhen provat. Fatkeqësisht komisioni i ankesave i ka kthyer në punë. Sepse siç e dini Komisioni Disiplinor i kishte suspenduar. Mirëpo, unë në këtë drejtim nuk kam pasur mandat që të ndërhyjë, por nuk kam dëgjuar për një tendencë për avancim. Njëra nga personat që ka pasur qasje, Flutura Goga ka qenë në proces të avancimit si drejtore e përgjithshme e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ne kemi pezulluar këtë proces deri sa prokuroria të na theksojë se cilat janë veprimet që kanë ndërmarrë”, theksoi ministrja Haxhiu.