UBT News

Haxhiu: Janë siguruar votat në Kuvend, qytetarët do të mund të tërheqin paratë nga Trusti

Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë se janë siguruar votat e deputetëve që ligji që ua lejon qytetarëve tërheqjen deri në 30% të parave nga Trusti Pensional të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

“Votat për Trustin janë. Ai do të kalojë në Kuvend. Po e them. Jam më i bindur se kur kam filluar këtë iniciativë. Kam takuar e kam biseduar pothuajse me gjithë shumicën e deputetëve të Kuvendit dhe jemi të vetëdijshëm që është kërkesë e qytetarëve në këtë krizë”, tha ai në T7.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është deklaruar pro tërheqjes së parave nga Trusti, me arsyetimin se është kohë krize. Ndërkohë edhe nga Lidhja Demokratike të Kosovës janë deklaruar pro kësaj iniciative.

“Ka presione në deputetët e mazhorancës që mos ta votojnë prej qeverisë. Por ka deputetë, sot e kemi parë Duda Balje, që do ta votojnë. Votat për Trustin janë dhe ai do të kalojë në Kuvend”, shtoi ai.

Seanca e Kuvendit për propozimin e tërheqjes së parave nga Trusti do të mbahet më 25 maj.

Exit mobile version