Mungesa e zhvillimit ekonomik dhe mentaliteti patriarkal, siç tha Haxhiu, janë faktorët kryesor që po ndikojnë në rritjen e dhunës në familje.
Haxhiu bëri të ditur se Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor nuk po bëjnë futjen e të dhënave në databazën në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
“Ne kemi databazën në kuadër të MD-së ku shohim futjen e të dhënave nga Qendrat për Punë Sociale, strehimoret, policia, prokuroria e gjykatat. Është problem edhe për Ministrinë e Drejtësisë, sepse pikërisht institucionet që janë kyçe në këtë proces nuk po fusin të dhënat, edhe përkundër faktit që gjithë zyrtarët janë trajnuar dhe kanë secili prej tyre llogari në raport me qasjen në databazën që e ka Ministria e Drejtësisë”, deklaroi Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se gjatë këtij viti kanë ndarë buxhet rreth 900 mijë euro për strehimoret. Sipas saj, ky është buxheti më i lartë krahasuar me vitet paraprake.
“Gjatë këtij viti ne kemi ndarë buxhet për strehimoret rreth 900 mijë euro, që është buxheti më i madh që është ndarë ndonjëherë për strehimoret krahasuar me vitet e kaluara, kur herë është ndarë 370 mijë, herë 400 mijë euro, e herë 450 mijë euro. Ndërkaq gjatë këtij viti ka qenë buxheti rreth 900 mijë euro që është ndarë për strehimoret. Aq sa kanë kërkuar strehimoret buxhet ju kemi ndarë, më shumë nuk kemi pasur mundësi sepse ligji nuk lejon që të ndajmë buxhet më shumë se që kërkohet”, shtoi ministrja e Drejtësisë.
Megjithatë, deputetë të opozitës deklaruan se kjo shumë nuk është e mjaftueshme për strehimoret në vend.
Më tej, Haxhiu tha se deri më tani nuk kanë parë veprime të prokurorëve e gjyqtarëve, të cilët nuk kanë kryer punën e tyre si duhet.
Për këtë reagoi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, e cila tha se pushteti po tenton ta kthejë vendin në shtet autokrat.
“Gjykatësit dhe prokurorët të merren në përgjegjësi për mos-kryerjen e punës së tyre dhe kjo do të thotë që është një tentim për shndërrim të shtetit nga demokratik në autokratik. Dhe nëse ky është qëndrimi i këtij komisioni dhe qeverisë, atëherë ky është një komision i dështuar”, u shpreh ajo.
Në replikën e saj, Haxhiu tha se Gjykata Kushtetuese është bërë aleate e opozitës. Pas deklaratës së saj, kanë reaguar edhe deputetët e partive opozitare.
“Është goditje e rëndë që të akuzosh mazhorancën apo qeverinë që po dëshiron shtetin demokratik ta kthejë në autokratik. Është goditje e rëndë, sepse ju e dini që ne po bëjmë reforma në drejtësi, të cilat Gjykata Kushtetuese është bërë institucion aleat i opozitës… Në vazhdimësi jam duke bërë përpjekje maksimale që Kosova të jetë shtet i së drejtës. Unë e di që do të vonojë por do të jetë e suksesshme”, tha ajo.
Ministrja u zotua se çështja e dhunës në familje dhe asaj në baza gjinore është prioritet për Qeverinë Kurti. Haxhiu theksoi se gjatë mandatit të saj i është vëmendje institucionale adresimit të dhunës në familje.
Tutje, Albana Bytyqi e cila është deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pyeti në lidhje me rastin e Astrit Deharit.
“Çfarë ka ndodhur me rastin Dehari, a ka diçka konkrete? Përderisa jeni këtu si ministre edhe thash kisha dashur të dijë sepse keni një rol shumë kyç edhe gjithashtu e keni detyrë ta përmirësoni infrastrukturën ligjore, më interesoj më shumë për rastin Dehari”, pyeti ajo.
Për këtë pyetje kanë reaguar deputetët e shumicës parlamentare, për çka edhe Haxhiu tha se është e gatshme që të jap kontributin e saj në një komision hetimor parlamentar në lidhje me këtë rast.
“Unë jam e gatshme që në momentin kur ta themeloni një komision hetimor për rastin Dehari, do të jem e pranishme si dëshmitare. Madje është mendoj shumë e rëndësishme sepse këtë vit bëhen shtatë vjet prej kur Astrit Dehari është vrarë, Prokuroria Speciale ende nuk ka marrë vendim për përgjegjësit, gjegjësisht nuk ka dërguar para përgjegjësisë penale përgjegjësit e kësaj vrasje. Mendoj që është rasti më i rëndë ku një aktivist politik pa asnjë faj është arrestuar edhe nuk ka dalë i gjallë nga Qendra e Paraburgimit në Prizren”, u përgjigj ministrja Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiubëri të ditur se gjatë fushatës të 16 ditëve të aktivizmit, do të lansojnë projektin për punësimin e grave të dhunuara.