UBT News

Haxhiu e bindur se Kodi Civil do të marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur e bindur që Projektkodi Civil do të marrë mbështetjen që i nevojitet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës kur të dalë në votim.

Ajo ka thënë se ky dokument do të procedohet shumë shpejtë në Kuvendin e Kosovës dhe sipas saj kësaj radhe do të kalojë për shkak të rëndësisë që ka.

“Sa i përket Kodit civil besoj që shumë shpejtë do ta procedojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kësaj radhe Kodi Civil do të kalojë në Kuvendin e Kosovës për faktin se është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë ajo.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se gjatë kësaj kohe kanë pasur takime me deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas saj, ka ende deputetë që mbrojnë qëndrimet e tyre kundër këtij dokumenti, megjithatë ajo pret që shumica ta mbështesë atë.

“Sa i përket sigurisë sime për kalimin e Kodit Civil, kjo bazohet në takimet që i kemi pasur me grupin parlamentar, deputetët, unë nuk them në asnjë mënyrë se secili prej deputetëve të grupit parlamentar do të votojë për, ka ende e disa që i kanë qëndrimet dhe bindjet e tyre por them edhe njëherë, qeveria dhe grupi parlamentar në shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut. Jo vetëm për hirë tonin si shtet, mirëpo për hirë edhe të proceseve në të cilat ne kemi aplikuar. Aplikimi në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe për tu bërë anëtar ju e dini që duhet të respektohen së pari të drejtat e njeriut, andaj unë besoj që do ta kemi mbështetjen jo vetëm të grupit parlamentar të Vetëvendosjes por edhe opozitës”, tha ajo.

Haxhiu ka folur në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë në të cilën u miratua projektligji për ekspertët gjyqësor.

Ajo ka thënë se ligji parasheh edhe themelimin e komisionit disiplinor që i trajton shkeljet e ekspertëve.

“Përmes ligjit do të rregullohet dhënia dhe marrja e licencave si dhe përtrirja e tyre përmes kushteve dhe kritereve të qarta për lëmi të ndryshme të ekspertimit, pra nuk do të vlejë më parimi një herë ekspertë gjithmonë ekspert pasi që licenca do të vlejë në afat prej pesë vitesh nga dita e lëshimit të licencës, ndërsa rastet kur ka keqpërdorime apo ankesa për punën e ekspertit gjatë rilicnecimit do të merren parasysh dhe mund të mos i vazhdohet licencimi nga Ministria e Drejtësisë, sepse përgjegjëse për këtë do të jetë Ministrja e Drejtësisë. Kjo parandalon abuzimin që ekspertët deri tani kanë mundur ta bëjnë me ekspertiza duke mos dhënë përgjegjësi te asnjë institucion mbi mos punën e tyre apo dështimin e kryerjen me kohë të ekspertizave”, tha ajo. 

Exit mobile version