UBT News

Haxhiu dhe Kurti bëjnë homazhe në Prekaz dhe Prishtinë me rastin e Ditës së Çlirimit

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit.

Gjatë vizitës në Prekaz, Haxhiu ka vlerësuar lart sakrificën e familjes Jashari dhe rëndësinë e saj historike në luftën për liri, duke theksuar se qëndresa e tyre përbën themelin mbi të cilin është ndërtuar liria dhe shteti i Kosovës. Ajo ka kujtuar rolin e Adem dhe Hamëz Jasharit, si dhe sakrificën e mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari, të cilët, sipas saj, ranë duke mos u dorëzuar asnjëherë.

Edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vlerësuar se Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri, duke theksuar se epopeja e familjes Jashari është pjesë themelore e historisë moderne të Kosovës dhe e idealit për shtet dhe pavarësi.

Pas homazheve në Prekaz, Haxhiu dhe Kurti kanë bërë homazhe edhe te përmendorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, duke nderuar figurat kryesore të historisë së luftës çlirimtare./A.K/

Foto:KOHA

Exit mobile version