UBT News

Haxhiu: Deri në verë do të vaksinojmë 70 përqind të popullatës

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu është i bindur se në rast se dalin të parët në zgjedhjet e 14 shkurtit do të arrijnë që deri në gjysmën e parë të vitit të realizojnë 70 përqind të vaksinimit të qytetarëve me vaksinën anti-COVID.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress ka kritikuar Qeverinë Kurti dhe Hoti për keqmenaxhim të pandemisë, pasi sipas tij, përmes këtij menaxhimi të dobët Serbia ka arritur të bëjë propaganda në dobi të saj.

Ai deklaron se me ardhjen e Partisë Demokratike në Kosovës në ekzekutiv do të arrijnë që të implementojnë sigurimet shëndetësore dhe se do të ofrojnë 580 lloje të barnave pa pagesë.

Kandidati për deputet, Bekim Haxhiu tregon se si PDK parasheh që përmes programit të rimëkëmbje së shëndetësisë , i cili është hartuar nga ekspertë të jashtëm të rrisin numrin e testimeve për COVID-19.

Madje, ai thotë se prioritet i subjektit politik ku garon për deputet janë edhe rritja e pagave për profesionistët shëndetësorë deri në 100 përqind.

“Ju e keni parë se kemi pasur një keqmenaxhim të pandemisë nga Qeveria Kurti dhe Hoti, rritje të numrit të madh të sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë dhe një invazion të Serbisë në Kosovë apo paaftësinë e këtyre dy qeverive e ka shfrytëzuar Serbia për të bërë propaganda për vete. Një herë me 1 mijë teste donacion e pastaj edhe me vaksinimin në kohën e qeverisë Hoti. Ne si PDK në programin tonë të rimëkëmbjes parashohim një vaksinim të gjithë popullatës mbi moshën 16 vjeç, dhe në muajt e parë të verës do të realizojmë 70 përqind të vaksinimit për gjithë popullatën. Këto janë prioritet tona, sigurimi i vaksinës dhe vaksinimi i qytetarëve në së paku 30 qendra në Kosovë. Përtej kësaj PDK ka planifikuar që të ketë një mirëqenie më të mirë dhe pagesë më të mirë për profesionistët shëndetësorë, andaj do rrisim pagat për të gjithë profesionistët shëndetësorë mbi 100 përqind dhe paga bazë e një mjeku do arrijë deri në 1500 euro. Gjithashtu ka qenë kërkesë edhe e infermierëve pagesa për kujdestaritë dhe do rrisim edhe pagesën e kujdestarive 100 përqind”, tha ai.

Deputeti i legjislaturës së fundit, Haxhiu premton se me qeverisjen e PDK qytetarëve të Kosovës do t’iu sigurohet mirëqenie më e mirë shëndetësore, pasi brenda vitit do të nisë implementimi i sigurimeve shëndetësore.

Për t’ju dalë në ndihmë edhe më tej pacientëve, Haxhiu thotë se në programin për rimëkëmbje shëndetësore kanë paraparë ndërtimin e spitalit të Prishtinës.

Për të krijuar lehtësira, kandidati për deputet nga PDK tha se do angazhohet që të bëhet digjitalizimi i komunikimit të brendshme spitalor por edhe modernizimi i shpërndarjes së barnave.

Haxhiu deklaroi se partia ku ai garon si deputet do të ofrojë për pacientët edhe trajtimin e infarktit akut në dy orët e para në të gjithë Kosovën, projekt ky që ishte nisur nga qeverisja e PDK-së në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Projekt tjetër që do t’iu ofrojmë qytetarëve është projekti i trajtimit të infarktit akut në dy orët e para në kuadër të territorit të Kosovës. E kemi filluar në kuadër të qeverisjes së PDK-së me Ministrinë e Shëndetësisë por për shkak të pandemisë dhe paaftësisë së dy qeverive Hoti dhe Kurti është ndërprerë si projekt dhe tani numri i atyre që presin për stenda në QKUK është mbi 800, derisa ato në të kaluarën kur ne kemi udhëhequr me Ministrinë e Shëndetësisë janë kryer brenda ditës dhe nuk ka pasur pacientë që ka pritur për koronarografi dhe stendim dhe ajo prapë është shndërruar në një avaz të vjetër, në një biznes i cili ka qenë prezent në të kaluarën”, deklaroi Haxhiu.

Krahas angazhimit të tij në rimëkëmbjen e shëndetësisë, kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës i cili mban numrin 109 në listën zgjedhore thotë se do angazhohet edhe për dy nisma ligjore. Por prioritet ka edhe rikthimin e buxhetit për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës.

“Një prej angazhimeve të tjera është rikthimi i buxhetit për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës, është domosdoshmëri dhe një kërkesë e madhe e sportdashësve. Në legjislaturën e ardhshme mendoj që do realizojmë dhe të fillojë iniciativën për Ligjin për sportistët që sportistët të cilët kanë marrë pjesë dhe kanë mbajtur frymën tonë të pavarësisë dhe lirisë gjatë kohës së okupimit dhe viteve 90-ta t’u njihet stazhi i punës dhe një njohje e stazhit të punës sportistëve pas vitit 1999 deri në shpalljen e pavarësisë. Përveç Ligjit për sportistët dhe artistët si një iniciativë që do e marr në mandatin e ardhshëm, mendoj që gjithashtu është e domosdoshme edhe iniciativa për Ligjin për transplantimin e organeve, një kërkesë e qytetarëve dhe një domosdoshmëri për të bërë transplantimin e organeve sepse shuma që u kërkohen jashtë Kosovës është marramendëse”, tha ai.

Kandidati për deputet, Bekim Haxhiu në legjislaturën e shtatë ka qenë një nga deputetët më të zëshëm në diskutimet parlamentare.

Exit mobile version