Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës ka përplasur ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra. Aktgjykimin e Kushtetueses, kjo e fundit, e ka vlerësuar si lajm të mirë për drejtësinë ndërsa ka kritikuar ministren për komentimin e këtij vendimi.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetja e PDK-së ka thënë se qeveria po përpiqet të cenojë integritetin dhe profesionalizimin e KPK-së.
“Janë të papranueshme sulmet ndaj gjyqësorit ashtu siç është i papranueshëm komentimi i vendimeve të gjykatës kushtetuese nga ministrja Haxhiu. Kjo qasje autoritare nuk përkon me përpjekjet tona për një shtet demokratik. Ky pushtet sa herë që i ka shkuar për shtati ka mbështetur vendimet e po kësaj gjykate, por ku kjo gjykatë i ka evidentuar shkeljet e këtij pushteti, tash natyrisht që s’po ju bie tamam. ‘Ai që e shkel Kushtetutën është super kriminel’ deklaroi Kurti si opozitar, e sot numri i ministrave të kësaj qeverie që e shkelin Kushtetutën është jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Deliu.
Por sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vendimi i Kushtetueses nuk është lajm i mirë për qytetarët dhe sistemin e drejtësisë.
“Aktgjykimi është lajm i keq për qytetarët e Republikës së Kosovës, për shtetin e së drejtës e për sundimin e ligjit, është i mirë vetëm për ju sepse keni përgjegjësi dhe për grupet e interesit, as për vet sistemin e drejtësisë, por për grupet e interesit brenda sistemit që ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë. Dhe po, unë do të komentoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese sidomos do të komentoj vendimet e gjykatës kur për të njëjtin projektligj kemi pasur dy opinione pozitive nga komisioni i Venecias, edhe për çështjen e bilancit në Këshillin Prokurorial edhe për çështjen e ndërprerjes së mandatave të anëtarëve të Këshillit Prokurorial edhe për çështjen e avokatit të popullit përbrenda strukturës së Këshillit Prokurorial të Kosovës, sepse këto janë tri çështje kryesore që trajton ligji”.
Ajo ka bërë të ditur se do t’i bëjnë ndryshimet dhe do ta sjellin ligjin për KPK-në sërish në Kuvend.
“Por më duhet të ju dëshpëroj sepse në asnjë moment nuk do ta tolerojmë korporatizmin brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës. Dje siç e keni parë është publikuar aktgjykimi Gjykatës Kushtetuese, përveç se morën nëntë muaj kohë, që ishte e paprecedentë, për trajtimin e këtij projektligji, e vonuan edhe publikimin e aktgjykimit dhe menjëherë pa humbur kohë do të bëjmë ndryshimet dhe do t’i sjellim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, se vet Gjykata Kushtetuese ka theksuar që përbërja aktuale është korporatiste”, ka thënë ajo.
Ndërsa sipas deputetes së PDK-së, ministrja po përpiqet t’i sulmojë institucionet e pavarura të drejtësisë.
“Kjo që sapo bëtë zonja Haxhiu, është përsëri përpjekje e re që t’i sulmoni e t’i atakoni institucionet e pavarura të drejtësisë, kjo nuk duhej të kishte vend në një parlament dhe një ministre e drejtësisë që merr guximin të atakojë vendimet e institucioneve të drejtësisë nuk ka vend në institucionet e Republikës së Kosovës. Ju po flisni për drejtësi e në fakt unë kisha një pyetje për zotëri Kurti, a janë super kriminelë shkelësit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Deliu-Kodra.
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.