Shefja e imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Edita Haxhiu ka thënë se ka filluar procesi i vaksinimit ku po vaksinohen punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive, kurse në sallën “1 Tetori” janë duke u vaksinuar punëtorët e kujdesit primar të vijës së parë të frontit.
Ajo ka thënë se sipas panit shtetëror, janë planifikuar tri faza të vaksinimit dhe deri në 70 për qind të popullatës planifikohet të vaksinohen deri në fund të vitit varësisht prej kontigjenteve të vaksinave.
Sipas saj, janë 280 persona nga stafi shëndetësor të cilët do të vaksinojnë në gjithë Kosovën.
“Në sallën ‘1 tetori’ është planifikuar që 760 persona të vaksinohen gjatë ditës, ndërkaq në Klinikën Infektive sot dhe nesër do të vaksinohet stafi”, deklaroi ajo.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se sot është ditë e mbarë dhe se Kosova po i bashkohet vendeve tjera për vaksinimin e personelit shëndetësor dhe qytetarëve. Ai ka bërë thirrje që edhe më tutje të respektohen masat anti-COVID, duke bërë thirrje që qytetarët të mos hezitojnë të marrin vaksinën.
“Ne jemi të vetëdijshëm që ky proces do të marrë kohë dhe qytetarët duhet ta kenë durimin. Vaksina është e sigurt dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt ta marrin. Sot kemi mbi 900 pacientë të shtrirë, prej tyre 37 janë në gjendje kritike dhe rreth 700 pacientë me oskigjenoterapi. Do të vaksinohem edhe unë”, deklaroi Krasniqi.
Të dielën Kosova ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës anti-COVID nga AstraZeneca.