Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu i ka bërë thirrje prokurorisë për hetim, me pretendimet siç thekson ai ‘për hajni brenda Ministrisë së Mbrojtjes’. Sipas tij, 16 pjesëtarë të ushtrisë janë dërguar në Komision Disiplinor, meqë të njëjtit janë ushqyer jashtë kazermës. Kështu u shpreh ai në seancë të jashtëzakonshme ku po diskutohet për çështjen e ushqimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në seancën e cila është bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Haxhiu i bëri thirrje edhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj që të tregojë arsyen e vërtetë të dorëheqjes.
“Hajnia e ka lënë ushtrinë pa bukë. Ushtarët sot janë detyruar të dalin të hanë bukë jashtë kazermës dhe 16 prej tyre janë dërguar në Komision Disiplinor, pse kanë dalë të ushqehen jashtë kazermës sepse ushqimi brenda ka qenë i pa përballueshëm dhe i pamjaftueshëm për ta. Kjo është vetëm një pjesë e asaj që është bërë publike e hajnisë, por ka këtu hajni edhe më shumë që asnjëherë nuk është bërë publike. Prandaj e ftoj Prokurorinë të merret me këto dhe e ftoj ish-ministrin, Armend Mehaj të bëjë publike arsyen e vërtetë të dorëheqjes së tij. Fondi për ushtrinë që është krijuar nga Qeveria Kurti asnjëherë nuk është bërë publik, jo sa mjete kanë qenë por as se si u shpenzuan. Qytetarët dhanë mjetet e tyre për të kontribuar për Ushtrinë e Kosovës, e këta shkojnë vjedhin edhe në pasul edhe bukë të ushtarëve. Por kanë vjedhur edhe në armatim, këtë përgjigje duhet të na ja jap ministri Armend Mehaj me arsyen e vërtetë pse ai ka dhënë dorëheqje dhe konfliktin që ka pasur brenda Ministrisë së Mbrojtjes me këta eksponentë kriminal”, deklaroi Haxhiu.