Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, është deklaruar fajtor të mërkurën para Gjykatës Speciale në Hagë për akuzën e frikësimit të dëshmitarit dhe pengimit të drejtësisë, e cila bart një dënim me tri vjet burgim.
Këtë deklarim ai e bëri në kuadër të një marrëveshjeje të pranimit të fajësisë që ai arriti me Prokurorinë e Specializuar paraprakisht.
Kjo prokurori e akuzon Shalën se kreu veprën në bashkëpunim me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin.
“Kur jam deklaruar jo i fajshëm, nuk kam qenë i intervistuar nga Prokuroria dhe nuk kam qenë i informuar se për çfarë është fjala. Tani deklarohem fajtor për çfarë thuhet në marrëveshjen e fajësisë”, tha Shala në Gjykatë, aktakuza e të cilit ishte konfirmuar pas rishikimit më 10 korrik 2024.
Brenda kësaj marrëveshjeje, për Shalën propozohet një dënim prej maksimal me tri vjet burgim, në të cilën llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Në rast se paneli gjyqësor pranon këtë marrëveshje të palëve dhe në rast se dënimi për Shalën do të jetë tre vjet burgim ose më i ulët, palët nuk do të kenë të drejtë apelimi.
“Sa më i ulët dënimi, aq më mirë”, tha po ashtu Shala gjatë deklarimit të tij në gjykatë.
Shala po ashtu u pajtua edhe me pika të tjera të marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe deklaroi se e ka arritur atë “me vullnet të lirë dhe pa detyrim”.
Gjykata është paraparë që më vonë gjatë ditës të shqyrtojë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë së Sabit Januzit.
Sa i përket marrëveshjes së pranimit të fajësisë për Ismet Bahtijarin, ajo ende nuk është bërë publike dhe pritet të shqyrtohet në një seancë më 19 dhjetor./REL/