UBT News

​Haxhi Shala nuk deklarohet për akuzat e Speciales

Në paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haxhi Shala nuk është deklaruar rreth fajësisë apo pafajësisë së tij ndaj tri akuzave. Para trupit gjykues, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se një gjë të tillë do ta bëjë në seancën e ardhshme.

Në seancën e sotme, atij i është lexuar aktakuza, ku i njëjti akuzohet për “tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale”. Haxhi Shala, i cili ndodhet në paraburgim, ka konfirmuar se ka pranuar aktakuzën në gjuhën shqipe.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se Shalës i është caktuar një avokat mbrojtës kujdestar, deri në emërimin e një mbrojtësi përfundimtar.

Në paraqitjen para Dhomave të Specializuara, Haxhi Shala nuk është deklaruar në lidhje me fajësinë apo pafajësinë mbi akuzat që e rëndojnë.

“Nuk mund të deklarohem sot, po e lë për seancën tjetër”, tha ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Teksa u pyet nëse ka ndonjë koment në lidhje me arrestimin, transferimin dhe kushtet e paraburgimit, Shala tha “gjithçka është në rregull”.

Sekretarja e gjykatës teksa lexoi aktakuzën e konfirmuar tha se Haxhi Shala akuzohet për kërcënim të rëndë, pengim të personave zyrtar për kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurës penale.

“Në aktakuzën e konfirmuar, prokurorja e specializuar akuzon Haxhi Shala për pikën 1: Tentim për pengimin e personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes kërcënimit të rëndë e ndëshkueshme në bazë të nenit 401 (1) dhe (5) të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 dhe nenit 15 (2) të ligjit. Pika 2: Tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, e ndëshkueshme në bazë të nenit 401 (2) dhe (5) të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 dhe nenit 15 (2) të ligjit dhe pika 3: frikësim gjatë procedurës penale, e ndëshkueshme në bazë të nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 dhe nenit 15 (2) të ligjit. Këto vepra penale u kryen së paku 5 deri më 12 prill 2023. Në lidhje me këto vepra penale ekziston dyshimi i bazuar mirë se Haxhi Shala është penalisht përgjegjës në bazë të nenit 16 (3) të ligjit për: a) kryerje të veprës penale në pikën 3 në bazë të nenit 17 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019, b) bashkëkryerje me zotëri Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi të veprave penale në pikat 1 dhe 3 në bazë të nenit 31 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019”, tha ajo.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, i njohur me nofkën “Topi”, është arrestuar më 11 dhjetor, ku një ditë më vonë u transferua në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ndërsa, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë arrestuar në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe janë transferuar në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.

Exit mobile version