UBT News

Haskuka: Do të formojmë komision për të diskutuar se çfarë të bëjmë me shtatoren e Skënderbeut në Prizren

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka reaguar pas diskutimeve të shumta për statujat e vendosura në Prizren.

Në Facebook, Haskuka ka pohuar se Skënderbeu dhe Adem Jashari tashmë kanë zënë vend në Prizren dhe aty do të jenë përgjithmonë. Ndërkaq sa i përket shtatores së Gjergj Kastriotit, Haskuka u shpreh se ajo nuk është realizuar me para të komunës.

“Sa i përket shtatores së Gjergj Kastriotit, ajo nuk është realizuar me tender e as me para të komunës, prandaj nuk ka asnjë të vërtetë te insinuatat për vjedhje apo për përzgjedhje të artistit realizues. Ajo shtatore është bërë prej shoqatës së diasporës “Trojet e Arbrit”, të cilët kanë përzgjedhur artistin dhe kanë realizuar me mjetet e tyre monumentin dhe të cilët i falënderoj shumë për kontributin e madh. Komuna, sipas marrëveshjes, ka ofruar vendin dhe realizimin e piedestalit, dhe në projekt kemi realizimin e një sheshi, përreth monumentit. Unë si kryetar i Komunës nuk jam autoriteti që vendos për vlerat artistike e as për ato historike. Por, dëshiroj t’ ju tregoj qytetarëve se ne do të themelojmë një komision për këtë çështje, të përbërë nga profesorë të artit, urbanistikës dhe të historisë, nga Kosova apo nga trojet shqiptare, i cili komision do të ketë për detyrë të sjellë një raport këshillues, se si duhet vepruar me shtatoren, dhe çka duhet të bëjmë me të. Në bazë të atij raporti këshillimor, do të diskutojmë në asamblenë komunale, dhe do të marrim vendim për të vepruar, me transparencë të plotë dhe në përputhje me interesin e treguar prej gjithë publikut mbarëkombëtar. Gjithsesi, po e përsëris, Skënderbeu është në Prizren, dhe do të jetë gjithmonë”, shkroi ai mes tjerash.

Sa i përket shtatores së Adem Jasharit, Haskuka u shpreh se ajo nuk është vendosur në pronë publike e as nuk është realizuar si projekt publik.

“Ajo është vendosur brenda një qendre tregtare dhe është realizuar prej asaj qendre, me miratimin e disa përfaqësuesve të familjes Jashari. Ne jemi njoftuar me veprën vetëm pasi që ajo është vendosur aty, njësoj si gjithë publiku tjetër. Është e vërtetë se në pronë private nuk i takon Komunës që të ndërhyjë, megjithatë, simbolet kombëtare, siç është edhe Adem Jashari, duhet të mbrohen nga shteti edhe për mënyrën e përdorimit në mjediset private”, shkroi ai më tej.

I pari i Prizrenit u shpreh se ajo statujë do të tërhiqet, dhe shpreson se do të zëvendësohet me një statujë më të mirë.

“Megjithatë, pavarësisht kësaj, më lejoni të lajmëroj publikun e gjerë se Komuna e Prizrenit tashmë i ka ndarë fondet dhe e ka filluar projektin, për të ndërtuar një monument publik, në një hapësirë publike, për komandantin legjendar Adem Jasharin”, përfundoi ai./UBTNews

Exit mobile version