Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani, ka thënë se gjatë dy javëve te fundit është rritur numri i pacientëve me covid-19 dhe se numri është më i madh se sa të dhënat zyrtare, kjo pasi një numër i madh i pacientëve nuk janë duke u testuar për covid.
Ai ka thënë pavarësisht numri në rritje me këtë virus, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se këto raste me terapi invazive janë duke u shëruar brenda dy deri në tre ditë.
“Realisht në dy javët e fundit kemi një rritje të fluksit të pacientëve, sigurisht se pjesa dërmuese e kësaj rritje korrespondon me diagnozën e virozave sezonale, të verës. Në kuadër të kësaj numri më i madh i pacientëve është me covid pozitiv. Numri nuk mund të themi në shifra me qenë këto të dhëna i keni nga IKSHPK. Po mund të ju themi sigurisht se numri i pacienteve është shumë më i madh me qenë se pjesa më e madhe e pacienteve nuk janë duke u testuar për covid-19, për këtë viroz e cila hynë edhe kjo në kuadër të këtyre virozave të rëndomta, nuk ka asgjë shqetësuese. Ndoshta pak a shumë simtomatologjia është më e shprehur se virozat e tjera, por megjithatë edhe me terapi jo invazive, pa infuzione e të ngjashme ajo po kalon brenda dy tri ditëve”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se rritja e pacientëve me diagnozën e virozëve sezonale brenda dy javëve është rritur me 30 për qind dhe se numri më i madh i tyre është duke u paraqitur në ndërrimin e natës.
“Gjatë këtyre dy javëve te fundit kemi pasur një rritje të numrit të pacienteve, diku mbi 30 për qind. Në fakt numri me i madh i pacienteve që është pak edhe shqetësues jo për shkak të gjendjes po për shkak të fluksit të pacienteve të cilët vijën zakonisht në ndërrimet e natës. Kemi një rritje enorme, të numrit të pacientëve në ndërrimet e natës që zakonisht nuk kemi pasur. Fatkeqësisht pjesa dërrmuese e pacienteve insistojnë që të marrin infuzione, kujdesi parësor-shëndetësor nuk është ajo porta e cila është për distribuim ose për dhënie të infuzioneve. Kjo dhënia e infuzioneve ka mbetur nga koha e covid-19, e cila nënë rrethana normale nuk do të duhej të ishte. Me qenë se kujdesi parësor-shëndetësore ashtu siç e din edhe popullata është preventiv, dhënia e terapisë orale”, ka thënë ai.
Hashani ka treguar edhe simptomat me të cilat janë duke u përballur këta pacientë.
“Zakonisht mosha e pacienteve është mosha e të rinjve por edhe atyre personave të cilët janë me sëmundje kronike, do të thotë të moshuarit. Simtomatologjia është e rëndomtë sikurse çdo virus tjetër, manifestohet me dhimbje muskulare, dhimbje koke, temperaturë, ethe, lodhje, rraskapitje e kështu me radhë. Në qoftë se kjo manifestohet me gastro-enterit, me infeksione të gojës dhe të zorrëve, atëherë kemi manifestim të vjelljeve, diarre e të ngjashme. Por edhe në këto raste është një apel i imi si mjek, pacienteve që të mos marrin infuzione, me qenë për këto duhet të koordinohen nga mjekët”, ka thënë ai.