Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Demë Hasanaj ka pranuar se ka raste kur shtyhet intervistimi i viktimave në mungesë të psikologëve.
Në rastin e raportuar në qershor të 11-vjeçares nga Prishtina, e cila dyshohet se ishte dhunuar seksualisht, për më shumë se dy javë nuk është marrë në intervistim e mitura nga prokurori i rastit.
Demë Hasanaj, i cili është drejtor në ZMNV, pohon se ka raste të tilla dhe kjo po ndodhë për shkak të mungesës së psikologëve.
“Në të shumtën e rasteve intervistimi i viktimave fillon në kohën sa më të shpejt, mirëpo kemi raste që duhet të shtyhet intervistimi i viktimave për mungesë të psikologëve, për vet faktin se psikologët janë të punësuar nëpër institucione tjera. Në rastet kur nuk mund të sigurohet prezenca e psikologëve, patjetër që duhet të pritet deri në sigurimin e psikologëve”, tha ai.
I pyetur se sa po merr kohë intervistimi i viktimave të dhunës seksuale, ai thotë se rastet e natyrës urgjente po trajtohen me prioritet.
“Varësisht nga rrethanat e rastit, me qenë se secili rast i ka specifikat e veta. Rastet e natyrës urgjente trajtohen me prioritet, andaj merren masat e menjëhershme”, shton Hasanaj.
Po ashtu, Hasanaj thekson se ka raste edhe kur intervistimi bëhet pa prezencën e psikologëve.
“Zakonisht psikologet dhe punëtorët social janë prezent gjatë intervistimit të viktimave, mirëpo kemi raste ku kemi mungesën e psikologëve. Gjatë sezonit të pushimeve vjetore mund të ketë rast kur mungon psikologu, mirëpo në shumicën e rasteve psikologet dhe punëtorët e social janë prezent”, thuhet në përgjigjen e Hasanaj.
Kujtojmë se ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte deklaruar se prokurori i rastit e pati të pamundur të intervistojë një 11-vjeçare pa prezencën e psikologut. E mitura dyshohet se në fund të gushtit u dhunua seksualisht nga pesë persona për shtatë orë radhazi, përfshirë edhe të mitur. Ajo ishte raportuar si e zhdukur në polici më 21 qershor dhe prokuroria e kishte intervistuar atë më 7 korrik.