UBT News

​Hasan Arat nderohet me medalje presidenciale për kontributin në afirmimin ndërkombëtar të sportit të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar personalitetin botëror të sportit, Hasan Arat, në vlerësim të kontributit të tij të çmuar në sportin ndërkombëtar, si dhe të rolit dhe përkushtimit të tij në procesin e kandidimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Osmani theksoi se Arat ka dhënë kontribut të çmueshëm në promovimin e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke kulmuar me angazhimin e tij që Kosova ta fitojë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Nga ana e tij, Arat u shpreh se ndihet i nderuar me marrjen e medaljes presidenciale, duke shtuar se promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e bënë me shumë zell, derisa tha se populli i Kosovës duhet të ndihet krenar me të arriturat në sport si dhe me organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të bëhet pas katër vitesh.

Arat është biznesmen dhe administrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakow 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi (2023-2024), e për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash.

Exit mobile version