UBT News

Harry Styles vendos rekord Guinness me 12 koncerte radhazi në Wembley

Harry Styles ka hyrë në historinë e muzikës live, pasi është shpallur rekordmen i ri i Guinness World Records për numrin më të madh të koncerteve të njëpasnjëshme në stadiumin Wembley, duke realizuar 12 shfaqje të gjitha të shitura.

Këngëtari britanik theu rekordin e mëparshëm të grupit Coldplay, i cili kishte mbajtur 10 koncerte radhazi në Wembley në vitin 2025.

Përfaqësuesi i Guinness World Records, Will Munford, tha se rekordi i Styles është dëshmi e përmasës, ambicies dhe ndikimit kulturor të performancave të tij live, si dhe e lidhjes së veçantë që ai ka me fansat.

Styles, 32 vjeç, nisi koncertet në Londër më 12 qershor në kuadër të turneut “Together, Together”, ndërsa shfaqja e fundit u mbajt të shtunën para rreth 80 mijë spektatorëve.

Gjatë koncertit përmbyllës, ai ndau një moment emocional duke kujtuar grupin One Direction.

“Nuk do të isha në këtë skenë pa katër miqtë e mi që ishin një pjesë e madhe e këtij rrugëtimi. Dua të falënderoj Niall, Louis, Zayn dhe mikun tim të dashur Liam për gjithçka që mësova gjatë asaj kohe. Asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur pa ju”, u shpreh ai.

One Direction u formua në vitin 2010 në emisionin “The X Factor” dhe hyri në pauzë të pacaktuar në vitin 2016. Ish-anëtari Liam Payne ndërroi jetë në vitin 2024, në moshën 31-vjeçare.

Styles kujtoi gjithashtu se kanë kaluar 16 vjet që nga koha kur mori pjesë në “The X Factor”, i cili u zhvillua pranë Wembley-t.

“Sa herë që kthehem në Wembley, kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme për mua. Faleminderit shumë”, tha ai.

Karrierën solo e nisi në vitin 2017 dhe deri më tani ka fituar gjashtë çmime Brit Awards, tre Grammy dhe dy Ivor Novello Awards. Albumi i tij i katërt studio, Kiss All The Time. Disco, Occasionally, u publikua në janar të këtij viti.

Për të shënuar arritjen historike, Wembley Stadium zbuloi një baner përkujtimor me mbishkrimin: “12 koncerte. Një rekord. Një vend në historinë e Wembley-t”.

Fillimisht turneu në Londër ishte planifikuar me gjashtë koncerte, por për shkak të kërkesës së lartë u zgjerua në 12 net. Në këtë turne, Styles zgjodhi të performojë vetëm në Londër dhe në asnjë qytet tjetër të Mbretërisë së Bashkuar./BBC//A.K/

Exit mobile version