UBT News

Harry Styles shihet duke vrapuar drejt Wembleyt para koncertit në Londër

Këngëtari britanik Harry Styles ka tërhequr vëmendjen e fansave pasi është parë duke vrapuar drejt stadiumit Wembley pak para nisjes së një prej koncerteve të tij në Londër.

Sipas Daily Mail, artisti 32-vjeçar, i cili po mban një rezidencë rekord prej 12 netësh në Wembley në kuadër të turneut “Together Together”, është filmuar nga një fanse teksa vraponte nga zona e Hampstead drejt stadiumit.

Në videon që u bë virale në rrjetet sociale, Styles shihet i veshur me një bluzë gri me kapuç dhe pantallona të shkurtra ngjyrë vjollcë, ndërsa nxiton drejt arenës ku e prisnin mijëra fansa.

Pamjet kanë ngjallur reagime të shumta në internet, me shumë komentues që kanë bërë shaka duke pyetur nëse këngëtari ishte vonë për koncertin e tij.

Harry Styles njihet për pasionin e tij ndaj vrapimit dhe ka përfunduar më parë maratona në Tokio dhe Berlin. Në një intervistë për “Runner’s World”, ai kishte deklaruar se vrapimi e ndihmon të kalojë kohë me mendimet e tij dhe të largohet nga presioni i famës.

Aktualisht, artisti po promovon albumin e tij të katërt dhe po shënon një sukses të madh me koncertet në Wembley, të cilat konsiderohen rezidenca më e gjatë e mbajtur ndonjëherë nga një artist i vetëm në stadiumin londinez./A.K/

Exit mobile version