Këngëtari britanik Harry Styles ka anuluar koncertin e planifikuar në stadiumin MorumBIS në São Paulo të Brazilit, vetëm pak orë para nisjes së tij, për shkak të një problemi shëndetësor.
Lajmi është konfirmuar nga organizatori Live Nation Brasil, i cili bëri të ditur se të gjitha biletat do t’u rimbursohen fansave, ndërsa koncerti i radhës në Brazil pritet të mbahet sipas planit.
Ky nuk është incidenti i parë gjatë turneut të tij “Together, Together”. Muajin e kaluar, Styles u rrëzua në skenë gjatë një koncerti në stadiumin Wembley në Londër, ku qëndroi për disa sekonda i shtrirë duke u përpjekur të rimerrte frymën, përpara se të largohej nga skena.
Pavarësisht këtyre vështirësive, artisti 32-vjeçar ka vazhduar turneun, ndërsa së fundmi emocionoi publikun në Londër duke falënderuar ish-anëtarët e grupit “One Direction” – Niall Horan, Louis Tomlinson, Zayn Malik dhe të ndjerin Liam Payne – për ndikimin e tyre në karrierën e tij.
Pak ditë më vonë, Styles u bë sërish viral në rrjetet sociale për një moment humoristik gjatë një performance, kur vuri re se zinxhiri i pantallonave i kishte mbetur hapur dhe e mbylli mes brohoritjeve dhe të qeshurave të publikut./A.K/
