UBT News

Harroni emra, fikjen e shporetit apo takimet? Mjekët shpjegojnë shkaqet që e ngadalësojnë kujtesën

Jo çdo harresë është shenjë plakjeje, mjekët shpjegojnë si ndikon stili i jetesës, ushqimi, gjumi dhe barnat në kujtesë.

Me kalimin e viteve, truri pëson ndryshime të natyrshme humbet gradualisht masë, sidomos në korteksin prefrontal, zonën përgjegjëse për vendimmarrje, dhe në hipokampus, që luan rol kyç në ruajtjen e kujtimeve.

Shpesh ndodh të mos kujtohemi menjëherë për ndonjë emër “që e kemi në majë të gjuhës”, apo të dyshojmë nëse kemi fikur shporetin ose kyçur derën.

Ritmi i shpejtë i jetës, stresi dhe mbingarkesa me detyra ditore ndikojnë në trup dhe në funksionet njohëse të trurit. Harresa është diçka normale e nuk përbën arsye për shqetësim. Por, kur vërejmë se dobësimi i kujtesës po ndikon në jetën e përditshme, është e rëndësishme të kërkojmë arsyet.

Mjekët theksojnë se mosha nuk është gjithmonë faktori kryesor.

A është vërtet mosha arsyeja pse harrojmë?

Sipas neuropsikologes dr. Eliz Kakapolo nga Qendra Mjekësore e Universitetit “Columbia”, numri i neuroneve zvogëlohet që nga lindja, është e kuptueshme që me kalimin e moshës mund të na duhet më shumë kohë për të kujtuar emra apo fjalë të caktuara.

Prof. dr. P. Murali Doraiswamy, psikiatër në Fakultetin e Mjekësisë “Duke”, shton se plakja shpesh shoqërohet me dobësim të kujtesës afatshkurtër, pra, vështirësi në mbajtjen mend të sasive të vogla të informacionit për periudha të shkurtra kohe.

Truri plakur humbet masë në korteksin prefrontal dhe hipokampus, përçimi i informacionit midis neuroneve ngadalësohet, dhe rritet rreziku për sëmundje neurodegjenerative. Plakja nuk sjell vetëm humbje.

Inteligjenca emocionale forcohet e përvoja jetësore ndihmon në marrjen e vendimeve më të mençura dhe në përdorimin e strategjive më efikase për kujtesë.

Mjekët theksojnë se faktorë si lodhja e tepërt, infeksionet, stresi kronik, si dhe mungesa e gjumit apo ushqyerja e pabalancuar, mund të ndikojnë dukshëm në funksionet njohëse edhe tek personat e rinj në moshë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version