Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris ka pohuar “angazhimin e saj të palëkundur” ndaj Izraelit pas një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Në të njëjtën kohë, kandidatja e mundshme demokrate për president i bëri thirrje udhëheqjes izraelite që të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët në Rripin e Gazës.
”Izraeli kishte të drejtë të mbrohej”, tha Harris, por shtoi se ”si e bën këtë ka shumë rëndësi”.
Ajo tha se kishte shprehur “shqetësimin e saj serioz” për shkallën e vuajtjes njerëzore në Gaza në bisedën e saj me Netanyahun.
Kjo përfshinte vdekjen e “shumë civilëve të pafajshëm” dhe situatën katastrofike humanitare.
“Ne nuk mund të shikojmë larg përballë këtyre tragjedive. Nuk mund ta lejojmë veten të mpihemi ndaj vuajtjeve dhe unë nuk do të hesht”, tha Harris.
Harris u bëri thirrje amerikanëve të mbanin parasysh kompleksitetin e konfliktit dhe historinë e rajonit. ”Terrorizmi dhe dhuna duhet të dënohen”, tha ajo.
“Le të bëjmë të gjithë çfarë mundemi për të parandaluar vuajtjet e civilëve të pafajshëm. Dhe le të dënojmë antisemitizmin, islamofobinë dhe urrejtjen e çdo lloji. Falë udhëheqjes së presidentit amerikan Joe Biden, një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve është në tryezë”, vazhdoi Harris./UBTNews/