Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka kujtuar heronjtë Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në 26-vjetorin e rënies së tyre.
Haradinaj ka thënë se Zahiri, Edmondi dhe Hakifi do të jenë përherë pjesë e kujtesës sonë historike.
“Në 26-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë heroizmin e trimave të UÇK-së, komandantin Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Sakrifica e tyre, trasoi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kujtojmë që më 31 janar të vitit 1997 ka ndodhur njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha kanë qenë duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre ishte zbuluar nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre kanë rënë heroikisht në luftë me ta.