Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar sot sindikatën e minatorëve të Trepçës.
Haradinaj ka thënë se Trepça është duke u ballafaquar me probleme serioze që ndërlidhen me mashtrimin që sipas tij kjo Qeveri po e bënë tash e 4 vjet.
“Trepça është vlerë dhe simbol i rëndësishëm i Kosovës. Kështu e kam trajtuar edhe atëherë kur në Kosovë kishte pak njerëz që besonin se Trepça mund të rikthehej si aset i përhershëm i Republikës sonë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të ‘Trepçës’ e regjistruam atë si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Kjo ishte mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e minatorëve të devotshëm dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të Trepçës. Sot, Trepça është duke u ballafaquar me probleme serioze qe ndërlidhen me mashtrimin që kjo Qeveri po e bën tash e 4 vjet. Ka mungesë të financave, minatorët përballen me kushte të rënda pune, të ardhura tejet minimale që nuk i paguhen me muaj të tërë e pa sigurim shëndetësor“, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj është zotuar se do të jetë krah në të gjitha kërkesat, sikur sot por edhe nesër në udhëheqje të vendit.
“Në vizitën që i bëra sindikatës së minatorëve, shpreha shqetësimin për gjendjen në të cilën gjenden sot minatorët. U zotova para tyre se do t’i jem krah në të gjitha kërkesat, sikur sot por edhe nesër në udhëheqje të vendit. Trepçës duhet t’i kthehet nami dhe shkëlqimi i dikurshëm, kjo përmes projekteve investive – revitalizimit të plotë dhe ofrimit të kushteve më të mira për minatorët“, është shprehur Haradinaj.