UBT News

Haradinaj u bën thirrje opozitës për bashkim kundër Qeverisë Kurti

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje partive opozitare që të bashkohen kundër qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se vendit i duhet një opozitë e vërtetë.

Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka akuzuar Qeverinë për korrupsion dhe përçarje, ndërsa ka kërkuar bashkërendim të veprimeve opozitare.

“Lirinë tonë e mbrojmë duke bërë opozitë të vërtetë. Duhet të bashkohemi kundër kësaj qeverisjeje të Kurtit”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka folur edhe për mbështetjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, duke thënë se e përkrah çdo veprim në mbështetje të tyre, por i ka cilësuar si të vonshme vendimet e Qeverisë lidhur me këtë çështje.

Haradinaj ka theksuar se siguria kombëtare e Kosovës mbështetet në sakrificën e UÇK-së dhe në aleancat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

Ai ka paralajmëruar se ruajtja e këtyre aleancave është thelbësore për sigurinë e vendit, duke kritikuar njëkohësisht situatën në të cilën, sipas tij, Kosova ka ardhur të ketë dilema të brendshme për çështje që lidhen me themelet e shtetësisë së saj./A.K/

Exit mobile version